Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bashkëbisedoi me të rinjtë e qytetit të Kukësit.
Të rinjtë e Kukësit e kanë njohur zotin Basha me shqetësimet e tyre që nga punësimi dhe taksat e larta ndërsa theksuan se shumë familje kanë marrë rrugët e emigrimit dhe të tjera janë gati për tu nisur.
Kreu i demokrateve theksoi se kjo situatë nuk ka asnjë zgjidhje nga dyshja Rama-Meta, se për ata punësimi nuk është prioritet.
“Ata merren ditë për ditë me opozitën sepse nuk kanë çfarë të thonë. Sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi falas dhe e kanë katandisur ne ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë. Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar. Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një” – theksoi zoti Basha.
Zoti Basha, duke iu referuar rastit të dhunës policore në Kukës, ku qytetarët po protestonin për energjinë elektrike theksoi se kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe sot u ofron qytetarëve vetëm dhunë dhe mjerim. Zoti Basha ka theksuar se platforma e Partisë Demokratike parashikon ulje të çmimit të energjisë dhe falje të kamatë-vonesave.
Ulja e taksave dhe rikthimi tek taksa e sheshtë është prioritet i Partisë Demokratike në nivel qendror dhe vendor. Me uljen e taksave do u mundësojmë bizneseve jo vetëm mbijetesën e tyre por edhe hapjen e vendeve te punës dhe paga më të mira për punonjësit.
Kandidati për kryetar i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu tha se ne nuk mund të pranojmë që kryebashkiaku të punojë vetëm për familjen e tij, siç ndodh në Kukës ku djali i Hasanit është drejtor dhe Pallati i Kulturës është shndërruar në zyrë të tij.