Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se qeveria Rama-Meta vetëm ka dështuar tërësisht në luftën kundër krimit dhe kjo qeveri është përgjegjësja kryesore për situatën e pasigurisë në vend.
Ai ka qenë i pranishëm në punimet e Asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, në Bruksel, nga ku u shpreh se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë prioritet tjetër për Shqipërinë, nëse krimi në vend që të ndodhet para drejtësisë dhe prapa hekurave, ndodhet në Parlament dhe bën bashkëqeverisjen.
“Problemi kryesor është problemi i krimit, krimi me lidhje në politikë, penetrimi i kriminelëve në postet drejtuese deri në Parlamentin Shqiptar, instalimi në Shqipëri i bandave më të rrezikshme në rajon. Së fundmi, siç u pa, janë përgjegjës edhe për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan, në këto dymbëdhjetë muaj që përkon me kohën e qeverisjes Rama-Meta”,- tha Basha.
Ai shtoi se këto janë sinjalet dhe provat më të qarta se larg retorikës dhe propagandës boshe, “qeveria Rama-Meta jo vetëm ka dështuar tërësisht në luftën kundër krimit, por është përgjegjësja kryesore për situatën e pasigurisë në vend, për lulëzimin si asnjë herë të trafiqeve dhe për gradimin e bandave e të banditëve me pushtet të mjaftueshëm, sa që të ndihen rehat për të ngritur një fabrikë kokaine në të cilën u sekuestrua një sasi me vlerë rreth 1 miliard euro”.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se ky është thelbi i rezolutës parlamentare dhe angazhimeve dypalëshe, për t’u marrë më këtë problem dhe ka përsëritur se opozita është e gatshme dhe kërkon të nisë menjëherë nga puna. “Puna kërkon vullnet të të dy palëve. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë prioritet tjetër për Shqipërinë, nëse krimi në vend që të ndodhet para drejtësisë dhe prapa hekurave, ndodhet në Parlament dhe bën bashkëqeverisjen. Padyshim që vullneti politik i Partisë Popullore Europiane dhe institucioneve europiane është dhe më i fuqishëm, për të na mbështetur”, u shpreh Basha për mediat pas takimit. Në lidhje me zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur midis mazhorancës dhe opozitës, me lehtësimin e Parlamentit Europian, Basha shprehu vendosmërinë e partisë që ai drejton për të punuar në zbatimin e rezolutës. “Unë kam besim të plotë se nëse ka vullnet politik për të mos penguar punën e përbashkët, ka plot burra dhe gra në Partinë Socialiste të cilëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë gati të japin kontributin e tyre, jo për interesin e PS-së dhe as për interesin e PD-së, por për interesin e qytetarëve shqiptarë që meritojnë dhe domosdoshmërisht duhet të kenë një Parlament të çliruar nga krimi”- tha Basha. I pyetur në lidhje me reformën territoriale, kreu i Partisë Demokratike e cilësoi atë si një hartë elektorale që bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë.