Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me drejtues të strukturave të kësaj partie në Kuçovë dhe Urën Vajgurore, renditi krimin dhe korrupsionin si shkaktarët kryesorë të situatës, ku ndodhet vendi sot.
Ne nuk na duhet thjesht një rotacion pushteti, nënvizoi ai, por na duhet një ndryshim epokal në qendër të të cilit do të jetë fuqizimi i qytetarit shqiptar dhe kufizimi i pushtetit të ardhshëm, sipas një modeli europian.
Duke iu referuar përfitimeve, që sipas tij, ’11 miqtë’ e Edi Ramës kanë marrë përmes tenderave, Basha theksoi se me to do të ishin hapur 55 mijë vende të reja pune në një vit, si dhe do t’u jepej ndihmë ekonomike 200 mijë familjeve në nevojë.
Pushteti i Edi Ramës, tha kreu i PD-së, është përqëndruar në duart e një grushti kriminelësh dhe të korruptuarish që ndajnë paratë me të dhe kërkojnë me çdo çmim të mbajnë pushtetin, ndërsa varfëria dhe mjerimi për qytetarët shtohet.