Barometri i Ballkanit: 1 në 3 shqiptarë janë të palumtur

“Barometri i Ballkanit” i vitit 2019, i publikuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, raporton se 1 në 3 shqiptarë janë të palumtur me gjendjen financiare në familjet e tyre.

Me një normë në 30% të atyre që shprehen tërësisht të pakënaqur me financat familjare, Shqipëria është jo vetëm e para në rajon, por rezulton të ketë rezultatin më të keq në 5 anketat e barometrit. Kurrë më parë nuk ishte regjistruar kjo normë në 30%. Vetëm 19% e shqiptarëve shprehen të kënaqur me financat familjare, që është edhe norma më e ulët në rajon në mënyrë të padiskutueshme.

Advertisement

Krahasuar me vitet e tjera, vetëm në 2016 ky nivel ka qenë më i ulët, me vetëm 1%. Pyetjes kryesore, asaj se, “sa janë të kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat në shoqërinë e tyre?”, shqiptarët në masë i përgjigjen me: “tërësisht i pakënaqur”.

Edhe në indikatorë të veçantë, si ai i çmimeve, me 49% të shqiptarëve që shprehen tërësisht të pakënaqur, mbajmë një rekord europian dhe një rekord historik, me normën më të lartë mes fqinjëve, por edhe me normën më të lartë të pakënaqësisë së regjistruar ndonjëherë.  Një anketë e veçantë, e publikuar vetëm për biznesin, tregon një situatë krejt të kundërt, me biznesin jo edhe aq të pezmatuar, madje edhe më të kënaqur se vitet e mëparshme.

/News31.al/