Banorët e Tiranës kanë të ardhurat më të larta në Shqipëri. Është ky raporti më i fundit i Institutit të Statistikave i cili ka publikuar Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas rajoneve në Shqipëri.
Tirana kishte të ardhura prej frymë prej 679 mijë lekë në vitin 2015 dhe pati një rritje me 5,5 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 37,0 % mbi mesataren e vendit.
Pas Tiranës, qarku i dytë më i “pasur” është Fieri me 550 mijë lekë për frymë në vit, por duke shënuar një rënie me 9,6% nga viti 2014, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto i Fierit është 11% mbi mesataren.
Qarku më i varfër i Shqipërisë vijon të mbetet Kukësi, ku banorët e tij kanë të ardhura me 319 mijë lekë në vit, duke pasur një rënie 2,2% në krahasim më vitin 2014.
Për gjithë Shqipërinë, në vitin 2015 niveli i PBB-së për frymë është rreth 496 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2014 PBB për frymë u rrit me 2,63 %.
Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 679 mijë lekë dhe pati një rritje me 4,8 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,1 % mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 404 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 5,9 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,5 % nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 457 mijë lekë, duke shënuar një rënie me 3,3 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 7,8 % nën mesataren e vendit.