Autizmi flet, është koha të dëgjosh! 2 prill, Dita Botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizimin, shenjat e së cilës shfaqen tek fëmijët pas moshës 1-2 vjeç.

Specialistët e shëndetësisë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Advertisement

Autizmi bën pjesë në Grupin/Spektrumin e Çrregullimeve Autistike (ASD) që konsistojnë në çrregullime të zhvillimit nervor të fëmijës dhe karakterizohet nga një triadë simptomash si:
– dëmtimi i komunikimit (verbal dhe jo verbal) dhe imagjinatës
– dëmtimi i ndërveprimit social, dhe
– sjellje të kufizuara dhe të përsëritura të fëmijëve.

Të gjitha këto shenja shfaqen para se fëmija të mbushë tre vjeç. Inteligjenca e këtyre fëmijëve nuk është gjithnjë e prekur, madje disa prej tyre janë më inteligjentë (kanë IQ më të lartë) se fëmijët e pa prekur nga Autizmi. Gjithsesi kur fëmijët me autizëm arrijnë moshën madhore, ata e kanë të vështirë të jetojnë të pavarur, ndonëse disa prej tyre bëhen të suksesshëm.

ASD konsideroheshin më parë si patologji të rralla, ndërsa kohët e fundit studimet tregojnë se prevalenca e tyre në botë është 60/10.000.
Ende egzistojnë debate mes shkencëtarëve rreth shkaktarëve të autizmit. Mendohet se ajo ka një bazë trashëgimie e shkaktuar nga ndërveprimi mes disa gjeneve ose si pasojë e dëmtimeve (mutacioneve) të reja gjenetike e lidhur edhe me faktorë ambjentalë. Gjithsesi kërkimet vazhdojnë. Ndonjëherë Autizmi shoqërohet edhe me sëmundje të tjera si Epilepsia, Sindroma Down, etj.

Eksperienca ka treguar se trajtimi më i mirë i personave me autizëm është edukimi i hershëm dhe i specializuar, i cili synon përshtatjen e ambjentit rrethues me nevojat e këtyre individëve. Familjarët mbajnë dy lloj qëndrimesh: disa kërkojnë një kurë për autizmin dhe të tjerët mendojnë se ai duhet të pranohet si një ndryshim dhe të mos trajtohet si një çrregullim.

Për fat të keq, ende në shumë vende, fëmijët autikë nuk marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe social, për shkak të mungesës së shërbimeve të përshtatshme, por edhe për diagnostikimin jo të saktë dhe të vonë të këtyre fëmijëve.

Në vendin tonë me këtë problematikë merren specialistë të zhvillimit të fëmijëve në Qëndrën Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve në Kombinat, apo QSUT “Nënë Tereza”, por edhe qëndra private, kryesisht në Tiranë