#AppleToo: Punonjësit akuzojnë rëndë Apple

Një grup punonjësish të Apple po organizohen për të luftuar kundër diskriminimit, racizmit dhe seksizmit brenda kompanisë dhe dështimit të departamenteve të menaxhimit për t’i adresuar ato, përmes një deklarate të rrallë publike mbi problemet brenda kompanisë.

Javën e kaluar, një grup punonjësish nisën #AppleToo, një fushatë për të mbledhur dhe ndarë përvojat e punonjësve aktualë dhe atyre të mëparshëm mbi pabarazinë, frikën dhe abuzimin. Grupi shpreson të shtyjë kompaninë që t’i adresojë në mënyrë më efektive ankesat e tilla.

Advertisement

“Për shumë kohë, Apple i është shmangur shqyrtimit publik. Kur ne kërkojmë llogari dhe korrigjim ndaj padrejtësive të vazhdueshme që dëshmojmë ose përjetojmë në vendin e punës, ne përballemi me një model izolimi, degradimi dhe neglizhimi,” thanë punonjësit në një deklaratë publike.

Që nga fillimi, thonë organizatorët, nisma ka siguruar qindra histori nga punonjësit në të gjithë kompaninë. 75% e tyre dëshmuan se kanë përjetuar një formë të diskriminimit dhe pothuajse gjysma dëshmuan se janë përballur me seksizëm dhe hakmarrje.

Duket se Apple është kompania e radhës që përballet me akuza të tilla. Në vitin 2018, Google u përball me protesta në të gjithë botën nga punonjësit që pretenduan ngacmim seksual, pabarazi gjinore dhe racizëm.

Në lidhje me pretendimet e punëtorëve, Apple tha:

“Ne jemi dhe kemi qenë gjithmonë thellësisht të përkushtuar për krijimin dhe mirëmbajtjen e një vendi pozitiv pune dhe gjithëpërfshirës. Ne i marrim seriozisht të gjitha shqetësimet dhe hetojmë plotësisht sa herë që ngrihet një shqetësim dhe, për respekt të privatësisë së çdo individi të përfshirë, ne nuk diskutojmë çështje specifike të punonjësve.”