Anulohen mbrëmjet e maturës | Ministrja Shahini: S’mundësojnë distancimin social

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini iu ka dhënë përgjigje një sërë pyetjesh të formuluara nga nxënësit, kryesisht nga maturantët. Në një komunikim në “Facebook”, Shahini tha se maturantët do të rikthehen në shkollë më 18 maj dhe kjo periudhë do të shërbejë për përgatitjen e tyre për provimet finale. Po ashtu, ajo theksoi se mbrëmja e maturës do të anulohet, pasi është një festë që nuk mundëson distancimin social.

“Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”, tha Shahini.

Mes të tjerash, ministrja theksoi se kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ajo sqaroi se hapja e shkollave nga 18 maji bëhet për maturantët sepse ata kanë kërkuar konsultime me mësuesit përpara dhënies së provimeve të maturës.

“Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”.

Burimi: Vizion Plus