Prej pak muajsh Anjeza Maja ka nisur një rubrikë të përjavshme me histori njerëzore në ‘ER TV’. Vitin 2019-të ajo ka vendosur ta nisë me një histori sa prekëse, po aq edhe shpresëdhënëse në të njëjtën kohë.
Në ciklin e ri “Njerëz të padukshëm”, në historinë e parë në qendër është vendosur një çift, Zenepja dhe Gëzimi, me të cilët jeta nuk është treguar shumë e drejtë. Për shkak të një aksidenti të dy mbetën në karrige me rrota dhe as që e mendonin se që prej atij momenti do të gjenin dashurinë e jetës së tyre.
Megjithatë pranvera e vitit 2009 i bëri bashkë dhe ata të dy u kthyen në mbështetjen më të madhe të njëri-tjetrit. Pavarësisht se nuk e kishin menduar se do të realizohej ndonjëherë, ëndrra e tyre më e madhe pak nga pak po bëhet realitet.
Zenepja dhe Gëzimi presin të bëhen prindër për herë të parë, duke na dhënë mesazhin se nëse lufton fort gjithmonë triumfon. Kjo histori na bën të gjithëve të besojmë tek e pamundura dhe ashtu siç shprehet edhe Anjeza, asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi, ka gjithmonë shpresë për të ardhmen.