AMA reagon pas skandalit në Për’puthen: Merren masa ndaj programit!

Autoriteti i Mediave Audiovizive, (AMA) ka reaguar pas ngjarjes së pakëndshme të ndodhur pak ditë më parë gjatë “Përputhen” duke bërë publike edhe masat e marra.

Dy ditë më parë, në studion e përputhen tre prej vajzave u përfshinë në një debat i cili degradoi në përplasje fizike mes dy prej tyre. Përpos ofendimeve dhe gjuhës së papërshtatshme të përdorur, Lea godet me shuplakë Irisin.

Advertisement

AMA ka shkruar se kjo është e disata herë që i tërhiqet vëmendja këtij produksioni. Mes të tjerave, një nga kërkesat e autoriteteve është shtyrja e orarit të transmetimit me qëllim që fëmijët të mos ndikohen nga ngjarjet jo-edukative që ndodhin gjatë këtij formati.

“Nisur nga fakti, se në një format të regjistruar produksioni i ka pasur mundësitë e evitimit të situatave të papranueshme, të krijuara gjatë regjistrimit, por s’e ka bërë këtë, theksojmë, se rruga e provokimit të shikuesve me pamje të tilla të evitueshme në transmetim, nuk është qasja e duhur për një subjekt audioviziv që ka në përdorim një frekuencë publike kombëtare.

Pluraliteti, diversiteti dhe debati i lirë gjatë komunikimit në studion televizive, nuk ka asgjë të përbashkët me dialogje agresive, fyrjen, përçmimin verbal apo gjestikulativ, që nxit dhunë verbale dhe fizike.

Evitimi i elementëve të tillë nuk është censurë, por pergjegjesi profesionale dhe etike ndaj publikut dhe interesave të tij. Duke qenë se në emisionin “Për’puthen” janë evidentuar në mënyrë të përsëritur shkelje të tilla etike, si: fyerje, stigmatizim, diskriminim, vulgaritet dhe tone të pakontrolluara komunikimi, që kanë përfunduar në dhunë, për të cilat Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka reaguar me disa tërheqje vëmendjeje (nr.3607prot., dt. 11.11.2021, nr.408prot., dt. 20.01.2022, nr.3755/1prot., dt. 17.11.2022) dhe ka kërkuar në emër të interesit më të lartë të fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre nga efektet negative të ndjekjes së këtij formati, shtyrjen e orarit të transmetimit, aplikimin e sinjalistikës për përmbajtjet e papërshtatshme në fashat orare, kur ndjekës janë edhe fëmijët, heqjen e përmbajtjeve audiovizive problematike nga (ri)transmetimi dhe kanali zyrtar përkatës në Youtube.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, njoftoi subjektin audioviziv TOP Channel se ka nisur procedimin administrativ sipas parashikimeve të kuadrit legjislativ dhe i kërkoi atij heqjen urgjente të përmbajtjes audiovizive përkatëse nga (ri)transmetimi dhe kanali zyrtar në Youtube.” – shkruhet në deklaratën zyrtare.

Ndërkohë sipas vendimit të produksionit të “Për’puthen”, Lea, Orsiola dhe Donato janë pezulluar nga programi deri në një vendim të dytë më drastik.