Pas një periudhe të vështirë në jetën e saj personale dhe një divorci që e shkatërroi, Jennifer Lopez, zbuloi se si arriti të ringrihej dhe të mos dorëzohej më kurrë.
US Magazine bën të ditur se gjatë një performance në rezidencën e saj “Up All night”, në The Colosseum at Ceasars, në Las Vegas, ylli hollivudian rrëfeu momentet e vështira të jetës së saj.
Lopez tregoi se divorcin, pas një martese 10 vjeçare me Marc Anthony, e përjetoi jashtëzakonisht keq dhe e konsideroi atë periudhë si një periudhë dorëzimi, teksa po rriste e vetme binjakët e saj të vegjël.
“Në fakt, ishte një kohë shumë e vështirë. Isha gati të hiqja dorë nga e gjitha. Isha një nënë beqare me dy binjakë 3-vjeçarë.”
Lopez kujtoi një bisedë me mentoren e saj, motivuesen dhe autoren Louise Hay, e cila i dha një këshillë që nuk e harroi kurrë. Kur ajo i tha se ishte balerinë, Hay e pyeti çfarë bënte kur gabonte hapat në një kërcim. “Vazhdoj derisa t’i bëj saktë”, iu përgjigj Lopez. “Atëherë vazhdo të kërcesh gjithmonë”, ishte mesazhi që e ndihmoi të mos dorëzohej.
Pas këtij rrëfimi emocional, këngëtarja interpretoi edhe hitin e saj të njohur Dance Again, mes duartrokitjeve të publikut.
Lopez dhe Anthony janë prindër të binjakëve Max dhe Emme, të cilët mbushën 18 vjeç në shkurt. Me këtë rast, artistja u bëri një dedikim të ndjerë në rrjetet sociale, duke theksuar se ardhja e tyre në jetë ia ndryshoi përgjithmonë jetën.


