Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur më së shumti për rolin e djalit rebel të baronit të drogës Walter White në serialin dramatik Breaking Bad, është ndarë nga jeta në moshën 34-vjeçare.
“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe aktivistit të përkushtuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, deklaroi për BBC-në përfaqësuesi i tij.
Aktori ndërroi jetë në Brownsville, Teksas. Dyshohet se ai ka kryer vetëvrasje.
Mitte, i cili jetonte me paralizë cerebrale, u mbështet te përvoja e tij personale për të interpretuar personazhin e Walter “Flynn” White Jr. në serialin fitues të çmimeve Emmy, ku luanin edhe Bryan Cranston dhe Aaron Paul. Në vitin 2014, ai u vlerësua me një çmim të Shoqatës së Aktorëve të Filmit (Screen Actors Guild) për punën e tij në këtë serial.
“Mitte i dha autenticitet personazhit dhe shfrytëzoi famën e tij për të rritur ndërgjegjësimin mbi aftësinë e kufizuar dhe rëndësinë e përfshirjes”, tha përfaqësuesi i tij, Sean Reilly, në një deklaratë për BBC-në.
Mitte shërbeu gjithashtu si ambasador i organizatave United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s.
Ai themeloi edhe Fondacionin Mitte, me synimin për të mbështetur nisma filantropike dhe projekte në komunitet. Përmes ndikimit të tij publik, ai synonte “të sfidonte stereotipet dhe të nxiste përfaqësimin më të gjerë të personave me aftësi të kufizuara”, u shpreh Reilly.
Departamenti i Policisë së Brownsville konfirmoi vdekjen e aktorit në një deklaratë për BBC-në, duke bërë të ditur se shkaku dhe rrethanat e vdekjes ende nuk janë përcaktuar dhe se hetimet vijojnë. Sipas policisë, nuk ka dyshime për përfshirje të ndonjë personi tjetër në vdekjen e tij.
Aktori u shpall i vdekur më 12 tetor, në atë që besohet të ketë qenë banesa e tij, bëri të ditur për Associated Press gjyqtarja e paqes e kontesë Cameron, Cyndi Hinojosa. Ajo shtoi se do të kryhet një ekzaminim pas vdekjes.
Homazhet e kolegëve të Breaking Bad
Seriali Breaking Bad u transmetua për pesë sezone në televizionin amerikan AMC, nga viti 2008 deri në vitin 2013.
Bryan Cranston, i cili luajti babanë e personazhit të Mitte në serial, publikoi një mesazh prekës në Instagram, ku shkroi se lajmi për vdekjen e aktorit e kishte zhytur në “dëshpërim të thellë”.
Seriali dramatik, krijuar nga Vince Gilligan, fitoi 16 çmime Emmy nga gjithsej 58 nominime, përfshirë dy çmime për serialin më të mirë dramatik, në vitet 2013 dhe 2014.
Cranston interpretonte një mësues kimie në një shkollë të mesme në Nju Meksiko, i cili i drejtohet botës së krimit për të siguruar të ardhmen e familjes së tij, pasi diagnostikohet me kancer. Ndërsa përfshihet gjithnjë e më shumë në trafikun e metamfetaminës, marrëdhënia e tij me të birin, Walt Jr., bëhet gjithnjë e më e largët. Ky i fundit nuk e fsheh pakënaqësinë ndaj të atit, shpesh përmes batutave dhe humorit.
“E takova kur ishte vetëm 14 vjeç, pasi u përzgjodh për rolin e Walter White Jr., të cilin e interpretoi me aq gëzim dhe entuziazëm”, shkroi Cranston.
“Kur nisëm xhirimet e episodit pilot, në shkurt të vitit 2007, ai ishte ende një djalosh pa shumë përvojë. Por, pak nga pak, e pamë të rritej dhe të shndërrohej në një aktor vërtet të talentuar.”
Cranston vlerësoi gjithashtu angazhimin e Mitte për të drejtat e artistëve me aftësi të kufizuara, duke theksuar se ai nuk e kishte lejuar kurrë paralizën cerebrale të bëhej “një justifikim për asgjë”.
“Gjithë ai premtim dhe potencial, i humbur tashmë, është një dhimbje e madhe”, shkroi aktori, duke shtuar se e kishte shijuar shumë kohën e kaluar me të gjatë viteve të serialit, por edhe pasi vëmendja ndaj Breaking Bad ishte zbehur.
“Do të më mungosh, bir”, përfundoi ai.
Në një deklaratë për revistën The Hollywood Reporter, Aaron Paul, i cili interpretoi një nga personazhet kryesore të serialit, Jesse Pinkman, tha se ishte i tronditur dhe zemërthyer nga lajmi.
“RJ, të dua, miku im. Do të na mungosh”, shkroi ai. “Dhe ju që po e lexoni këtë, ju lutem dijeni se jeni të dashur dhe nuk jeni vetëm. Mos e harroni kurrë këtë.”
Dean Norris, i cili luajti Hank Schrader, xhaxhain e personazhit të Mitte në serial, shkroi se, ndonëse RJ nuk luante djalin e tij në ekran, ai ishte kujdesur gjithmonë për të që kur ishte një djalosh i ri në sheshxhirim.
“Ai ishte një djalë i mrekullueshëm dhe do të na mungojë shumë”, shkroi Norris.
Nga një rol televiziv te aktivizmi për personat me aftësi të kufizuara
Mitte u rrit në Luiziana dhe ishte ende adoleshent kur provoi për rolin që do t’i ndryshonte jetën. Ai ishte shpërngulur në Los Angeles në vitin 2005 për të mbështetur karrierën e motrës së tij më të vogël në aktrim.
Ai kishte treguar se audicioni i tij i parë në Los Angeles ishte për një fushatë ndërgjegjësuese të shërbimit publik në Kaliforni, kundër përdorimit të metamfetaminës.
“Pastaj erdhi audicioni për Breaking Bad, që, sipas mendimit tim, është ende një lloj mesazhi kundër metamfetaminës, sepse për askënd nuk përfundon mirë”, tha ai në podcastin Joe Vulpis, në fillim të këtij muaji.
Personazhi i tij u frymëzua nga një mik i ndjerë i krijuesit të serialit, Vince Gilligan, i cili kishte një formë më të rëndë të paralizës cerebrale dhe përdorte paterica për parakrahët, ndryshe nga Mitte, i cili nuk kishte nevojë për to.
Interpretimi i Mitte u vlerësua për natyrshmërinë dhe mënyrën e qasshme me të cilën portretizoi personazhin. Ai sillte humor dhe batuta në rolin e një adoleshenti, gjendja shëndetësore e të cilit përmendej rrallë në serial.
Pas famës që fitoi, Mitte u angazhua për të siguruar role më të larmishme dhe për të nxitur portretizime më komplekse të personave me aftësi të kufizuara, si të dukshme, ashtu edhe të padukshme.
“Sa herë vjen sezoni i çmimeve, shpresojmë gjithmonë të shohim një grup të larmishëm projektesh që na përfaqësojnë të gjithëve, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë mendor”, tha ai për BBC-në në vitin 2021.
“Ka qenë kënaqësi të shohësh rritjen e ndërgjegjësimit për përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara, por përparimet ndonjëherë vijnë në hapa të vegjël dhe në momente të veçanta, në vend që të sjellin ndryshime më të mëdha”, shtoi ai.
Përveç Breaking Bad, Mitte u shfaq edhe në produksione të tjera televizive, përfshirë Hannah Montana, Switched at Birth dhe Westhampton. Projekti i tij më i fundit ishte Talking to Strangers, i publikuar në fillim të këtij viti.

