Që Elvana Gjata po vjen me surpriza të shumta, këtë e kemi “nuhatur” të gjithë. Pas një shkëputjeje relativisht të gjatë, muajit e fundit artistja ka qenë shumë aktive, duke sjellë një EP, këngë të reja, e madje u është rikthyer edhe intervistave. Por, prisni se ka akoma! Me postimet e fundit në rrjetet sociale artistja na ka lënë të mendojmë se po vjen me një koncert recital, të cilin e ka paralajmëruar prej kohësh. Ajo ka postuar disa foto e video në Instagram ku shihet me bashkëpunëtorët dhe orkestrën. “Prova” ka shkruar ajo krah tyre duke lënë të kuptohet se po përgatisin diçka. Po ashtu, menaxheri i saj, Andi, ka zhvilluar një takim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Burime pranë News31.com bëjnë me dije se koncerti do të mbahet në fund të këtij muaj ose në fillim të gushtit, por ende nuk ka një datë zyrtare. Po ashtu, është planifikuar që ky koncert të mbahet në sheshin “Skëndërbej”, ku qytetarët mund të shijojnë performancën e artistes në ambient të hapur.
Kënga e fundit që ajo ka publikuar është “Loti” që rezultoi shumë e suksesshme dhe po dëgjohet kudo. Ndërkohë më 16 prill, Elvana u rikthye me “Çelu”, një mini-albumin që përmban 7 këngë, i cili ka marrë pëlqimet e padiskutueshme të publikut. “Çelu” synon që të çelë shpirtin e vetë këngëtares fillmisht, por edhe të të gjithë shqiptarëve që kohët e fundit kanë përjetuar një situatë aspak të lehtë.
Ndërkohë, kohët e fundit Elvana është përfolur për një bashkëpunim me këngëtarin e dashur shqiptar, Yll Limani. Shkak janë bërë disa komente të shkëmbyera mes tyre në rrjetet sociale, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim të këtyre zërave.