Ditën e djeshme Jennifer Aniston festoi 51-vjetorin dhe ka zbuluar “ëndrrat në sirtar” duke treguar për herë të parë se e imagjinon veten me fëmijë.
Gjatë një bisede me mikeshën e saj, aktoren Sandra Bullock, për revistën “Interview”, Aniston foli hapur dhe tha se pamja e gëzueshme në kokën e saj përfshin fëmijë që vrapojnë.
“Çfarë është ajo që nuk e ke bërë ende?”, e pyet Bullock. “A është në nivel pune? A është në një zhvillim shpirtëror? A janë të gjitha këto më lart?”
“Është më shumë si një pamje e vogël në trurin tim, ku dëgjoj oqeanin, shoh oqeanin, dëgjoj të qeshura, shoh fëmijë duke vrapuar, dëgjoj trokitjen e akullit në një gotë, ushqim duke u gatuar. Kjo është pamja e gëzueshme në kokën time”, tha Aniston duke zbuluar për herë të parë dëshirën për të pasur fëmijë.
Aniston ka qenë e martuar më parë me Brad Pitt nga viti 2000 deri në vitin 2005 dhe më pas me Justin Theroux nga 2015-2017, por kurrë nuk kishte shprehur dëshirën për të pasur fëmijë.
Madje në vitin 2016, ajo foli hapur për presionin me të cilin përballen gratë për t’u bërë nëna.
“Nëse nuk kemi një fëmijë ose një burrë, atëherë ne jemi të padobishme. Ne nuk po jetojmë qëllimin tonë. Është tronditëse për mua që ne nuk po e ndryshojmë bisedën”, tha ajo.
/Opinion.al/