70 vjet pa ngrënë e pirë

Prahlad Jani po mbahet nën vëzhgim të rreptë në spitalin e Ahmedabad-it në Indi. Është shtruar që prej gjashtë ditësh dhe që në atë moment nuk ka prekur ushqim dhe ujë me dorë. Departamenti i Mbrojtjes është duke e vëzhguar për të vërtetuar nëse ky njeri jeton vërtet ashtu siç thotë. Në rast se konfirmohet, sekreti i këtij njeriu mund të shpëtojë shumë jetë ushtarësh në raste emergjence. Sipas mjekëve që e kanë ekzaminuar trupin e tij, paçka moshës së madhe nuk vërehen shenja mosushqimi apo dehidratimi.

Jani, njeriu i rrallë indian ka rrëfyer se kish lënë shtëpinë e prindërve kur ishte vetëm 7 vjeç për të bërë aventurën e tij jetësore si “sadhu” (njeri i shenjtë në fenë hindu). Thuhet se këta njerëz të shenjtë kanë një forcë jetësore brenda trupave të tyre dhe janë në gjendje të jetojnë vetëm nëpërmjet forcës shpirtërore. Kështu Jani beson se jeton me eliksirin që i jep një perëndeshë nëpërmjet një vrime në qiellzën e tij. Analizat e një mjeku specialist në studimet e të mbinatyrshmes kanë konfirmuar aftësitë e Janit për të jetuar pa ushqime e lëngje, por mjekë të tjerë nuk kanë besuar duke e quajtur atë si një “mashtrues të njerëzve të varfër”.

Advertisement

Duke parë gijthë interesin që rrethon personazhin e këtij lajmi, Departamenti i Mbrojtjes Indiane mendon se Jani mudn t’i mësojë se si ushtarët të mbijetojnë në situata ekstreme deri sa t’u vijnë në ndihmë skuadrat e shpëtimit. “Nëse do të vërtetohej shkëncërisht kjo që thotë ky njeri, do të ishte një zbulim i madh për shkencën. Do të ishim në gjendje të shpëtonim jetë njerëzish në raste katastrofash natyrore, apo në kushte ekstreme të cilat vënë në rrezik jetët e njerëzve. Njerëzit mund të mësohen të mbijetojnë në rastet kur ka pamjaftueshmëri ushqimesh e uji”,- ka deklaruar Dr. Ilavazhgan, Drejtor i Institutit Fiziologjik në Departamentin e Mbrojtjes.

Deri tani Jani është në spital nën vëzhgim të rreptë. Nuk ha, nuk pi e nuk prodhon as urinë. Është në formë të mirë fizike e mendore. Mjekët do vazhdojnë t’a mbajnë nën vëzhgim edhe për 15 ditë të tjera, periudhë e mjaftueshme, përgjatë së cilës njerëzit normal fillojnë të shfaqin atrofizim të muskujve, dehidratim, humbje në peshë apo lodhje.