Ku po shkon shoqëria shqiptare? 6 gra të vrara në 40 ditë

Numri i grave të vrara po rritet në mënyrë të frikshme dhe po kaq i frikshëm është fakti që nuk ka një reagim nga shoqëria në lidhje me këto tragjedi. Sot, një tjetër grua, nënë e një vajze të mitur u vra në mënyrë mizore nga bashkëshorti i saj gardist. Në vetëm 42 ditë të këtij viti, 6 gra janë masakruar duke lënë pas fëmijëve jetimë, prindër të vrarë në shpirt dhe plot vuajtje e dhimbje për njerëzit e afërt.

Tirana u zgjua sot me një lajm të tmerrshëm. Një 44-vjeçar, Alket Arapaj punonjës prej 21 vitesh i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare. Si për ironi, të dy ata ishin praktikantë të fesë islame dhe sipas fesë së tyre çdo lloj agresioni është i dënueshëm nga Zoti.

Advertisement

Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik ishte vrasja e ndodhur në qytetin e Vlorës, ku 42-vjeçarja Eva Lera u mbyt deri në vdekje nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Teodor Lera. Krimi i rëndë në familjen vlonjate ishte deri diku i paralajmëruar, pasi viktima ishte dhunuar sistematikisht nga kryefamiljari, i cili pas aktit të rëndë tentoi t’i jepte fund jetës duke prerë damarët.

Por, 2019 nisi me një tjetër ngjarje tronditëse, të ndodhur më 2 janar në qytetin e Ballshit, ku emigranti 34-vjeçar Gazment Musta, la të vdekur bashkëshorten e tij dhe kunatën 18-vjeçare pas një sherri banal. Viktimat Gentjana Musta dhe Merisa Çaushi u ekzekutuan nga autori që ishte në gjendje të dehur, pasi bashkëshortja i kishte kërkuar atij të shkonte tek prindërit e saj me rastin e Vitit të Ri dhe ai kishte refuzuar.

Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo që ndodhi më 14 janar në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë, ku dhëndri Majlind Lala vrau me armë vjehrrën dhe vjehrrin e tij po pas një sherri banal dhe më pas i dha fund jetës.

Bujar Mata, 63 vjeç dhe gruaja e tij Valentina Mata, 52-vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në lagjen “Kristaq Mone”, ndërsa vajza e tyre e shokuar mori lajmin e kobshëm në Suedi, ku edhe kishte jetuar me ekzekutorin Majlind Lala.

/GazetaShqip/