Pasi ka marrë pjesë në shumë festivale filmi si dhe ka qenë fitues i dy çmimeve në Festivalin e Filmit në Talin, “Martesa” me skenar dhe regji nga Blerta Zeqiri, është propozimi zyrtar i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në OSCARS.
Filmi flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Në rolet kryesore të filmit janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.
Kryesuesi i komisionit përzgjedhës Isa Qosja u shpreh: “Filmi i propozuar është një tregim ndryshe nga ato që jemi mësuar apo detyruar t’i shohim tek ne, përmban një strukturë disashtresore dramaturgjike, aktorët i gjallojnë fatet e tyre në mënyrë të natyrshme dhe me mjaft emocione. Regjisura është gati e pavërejtur dhe kjo i jep këtij filmi rrjedhshmëri në perceptim të fabulës dhe përjetimit”.
Filmi “Martesa” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është prodhim i kompanisë “Beze” me producent Keka Kreshnik Berisha. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkrah edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë.