I ftuar në emisionin e përditshëm You&Me në NRG Radio me Julkën dhe Arjonin ishte moderatori i “Wake Up” dhe “100 Milionë” në Top Channel, si dhe një nga zërat më të mirë radiofonikë, Eno Popi.
Shpesh është i rezervuar, por këtë herë moderatori na tregoi shumë gjëra për veten, partneren, profesionin, jetën në përgjithësi e veçanti…
I sinqertë, nuk nguroi t’i përgjigjej asnjërës prej pyetjeve, madje ka qenë i vetmi i ftuar që pranoi se do të bënte një kalendar nudo si dhe do të hiqte dorë nga prezantimi për 1 milionë Euro (e më pas do të zhdukej). Na tha se cili ishte zëri më i mirë radiofonik, cili ka qenë “dështimi” profesional, cili është pasioni i tij i fshehtë për të cilin dhe po shkollohet si dhe… për bebin që pritet të vijë në jetë shumë shpejt.
E pikërisht lidhur me këtë të fundit, Eno u shpreh se po e pret me frikë.
“Mua më frikëson vetëm mënyra se si do ta rris dhe do ta edukoj. Nuk e di, s’jam as i pari as i fundit. Njerëzit më thonë, hë mo dhe ti tani… sipas mënyrës që familja ka lënë tek gjisecili prej nesh, po sikur të rriteshin fëmijët kështu…”, dhe më pas vijon me një shembull mjaft të bukur që e merr për bazë kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve.
“Një prej shembujve që e kam komplimentuar shpesh është Julka për familjen e bukur dhe mënyrën si vjen tek njerëzit që e ndjekin [në Instagram], ku ka në familje shumë argëtim dhe shumë gëzim, sikundër kam dhe të tjerë ku vetëm ankohen dhe gjithmonë ty të kap dilema, pra fjala vjen, mund të dorëzohesh në një moment?” përfundon ai.
Megjithatë Julka “e qetëson” duke i thënë se në momentin e dorëzimit, buzëqeshja e fëmijës do i japë gjithë forcën që ka nevojë një prind.
Ndiqni intervistën e plotë në video.