Kur dukej se gjithçka po merrte drejtimin e duhur, marrëveshja politike mes PS dhe PD ka dështuar sërish. Shkaku i këtij dështimi mes palëve, ka qenë data e zgjedhjeve, pasi sipas PD-së, kryeministri Rama nuk pranon që të shtyhen përtej datës 18 qershor, ndërsa opozita kërkon që të zhvillohen në vjeshtë.

Takimi i tretë i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me aleatët parlamentarë, ku më herët u mblodhën dy herë për të diskutuar rreth paketës “McAllister”, ka qenë thjesht informativ.

Advertisement

Takimi nisi dje në mbrëmje në orën 21:00 në selinë blu dhe ka zgjatur vetëm 20 minuta. Në takim është diskutuar gjithashtu edhe për datën e zgjedhjeve dhe Vettingun.

Kreu i PD, Lulzim Basha ka informuar aleatët në lidhje me atë çka po diskutohet për arritjen e një zgjidhjeje.

Mësohet se shefi i opozitës i ka thënë aleatëve se Rama është tërhequr nga paketa McAllister, ndërsa nuk tërhiqet për 18 qershorin.

Gjatë ditës së djeshme Basha ka zhvilluar disa takime me aleatët dhe me ish-kryeministrin Berisha.

Ndërkohë zëvendës/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee pas takimeve intensive të një dite më parë mësohet se është larguar mëngjesin e djeshëm drejt SHBA.

Ndërkohë, pas dështimit të negociatave për caktimin e një date tjetër të zgjedhjeve opozita ka marrë vendim që të qëndrojë në çadër dhe të vijojë protestat.

Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Bashës me aleatët. Mësohet se Basha u ka thënë aleatëve se Rama nuk pranon që t’i shtyjë zgjedhjet dhe se ai ka caktuar vetëm 18 qershorin si datë të panegociueshme.

Në këto kushte, opozita duket se do të vijojë protestën dhe nuk do të ketë marrëveshje me qeverinë.