Shpesh në rrjete sociale vëmë re se si këngëtarët tregojnë për lidhjen e veçantë që kanë me të gjithë fansat e tyre. Ata nuk ngurrojnë t’i falënderojnë vazhdimisht jo vetëm për përkrahjen, por edhe për dhuratat dhe mesazhet inkurajuese që ata u dërgojnë.
Enca është një prej artisteve që është shumë e lidhur me fansat e saj dhe vazhdimisht shprehet shumë e kënaqur për këto raporte. Por këtë herë duket se një mesazh i njërit prej tyre e ka emocionuar edhe më tepër Encën, ndaj ajo ka vendosur ta shpërndajë me të gjithë në Snapchat.
Një djalë nga Siria i ka treguar asaj se muzika që Enca bën e frymëzon aq shumë sa ia largon për pak mendjen nga lufta që ka përreth. “E dashur Enca, shpresoj të jesh mirë! Unë jam një fans shumë i madh i yti, edhe pse nuk kuptoj asnjë nga fjalët në këngët e tua. Emri im është Mizgin dhe jam nga Siria. Nuk e imagjinon dot se sa shumë shpresë më jep arti yt dhe se sa ngrohtësi më fal brenda vetes time, madje më bën të fshij nga mendja edhe pamjet nga lufta. Shpresoj të dëgjoj prej teje…”, – ka qenë mesazhi i plotë i sirianit.
Nga ana tjetër, këngëtarja është shprehur se këto mesazhe i shtojnë jetën dhe ajo lutet që ata të gjithë të jetojnë në paqe dhe të lumtur…/ Blitz.al/