Monika Lubonja hedh në gjyq Adrian Hilën: “Kam dashur dikë dhe kam besuar”.

Wednesday, October 7, 2026

Monika Lubonja ka reaguar publikisht dhe ka bërë të ditur se i është drejtuar drejtësisë kundër kompozitorit Adrian Hila. Në Instagram, aktorja ka publikuar një deklaratë dhe faqen e parë të një kërkese drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vulë të datës 6 tetor 2026.

Reagimi vjen pas qarkullimit në internet të materialeve intime të kompozitorit Hila. Lubonja shprehet se nuk kishte dijeni dhe nuk kishte dhënë pëlqim për filmimin, regjistrimin apo shpërndarjen e materialeve private.

“Nuk kam pasur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shkruan ajo.

Përmes deklaratës, aktorja lë të kuptohet se ka pasur një marrëdhënie sentimentale disavjeçare me Hilën. Krahas fjalëve për dashurinë dhe besimin, ajo përmend edhe vitet që i kishte kushtuar personit të cilit i drejtohet.

“Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zhbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime.”

Ndër reagimet publike që Anabel ka pasqyruar deri tani për këtë çështje, Lubonja është e para që publikon një dokument për një kërkesë gjyqësore drejtpërdrejt ndaj Hilës.

Në dokument, Lubonja paraqitet si e dëmtuara akuzuese, ndërsa Adrian Hila si personi ndaj të cilit drejtohet akuza. Aty renditen akuzat për “Fyerje” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Në deklaratën e saj, Lubonja kërkon të ndalet ajo që e cilëson si baltosje në emër të një “morali kolektiv”. Mediave u kërkon të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo spekulojnë mbi materialet intime.

“Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”, shkruan aktorja.

Ajo shprehet e vendosur ta ndjekë çështjen ligjërisht: “I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund.”

Në mbyllje, Lubonja shkruan se kërkon forcë për ta përballuar këtë periudhë dhe pret që drejtësia të bëjë punën e saj.

 

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM