Zyrë e Shërbimit Unik për qytetarët në Komisariatin e Policisë Nr.4 në Tiranë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi ka përuruar Zyrën e Shërbimit Unik për qytetarët në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë.

Në fjalën e tij për mediat ministri Tahiri u shpreh se synohet ndryshimi i mëndësisë që deri dje ka shoqëruar marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Shtetit. “Sot, Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, punonjësit e Policisë së Shtetit punojnë me mendësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, sepse ne besojmë që kjo marrëdhënie, sa më shumë të konsolidohet, aq më e lehtë është për ne lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe paligjshmërisë në tërësi. Nëpërmjet këtyre zyrave të shërbimit unik, qytetari gjen në Policinë e shtetit një institucion partner, dhe jo një institucion represiv, gjen te punonjësi i Policisë një mik dhe jo një mekanizëm represiv.” Për ministrin e Brendshëm këto zyra duhen konsideruar si hapësira e shërbimit të policisë për interesat e ligjshme të qytetarëve si dhe “hapësirë për t’i garantuar qytetarët se ne jemi shumë të gatshëm, madje jemi në dispozicion të qytetarëve që të gjithë bashkë të bëjmë ç’është e mundur nëpërmjet informacionit që japin qytetarët për lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, për ndërtimet pa leje, për paligjshmërinë në tërësi, për zyrtarët e korruptuar që shërbimin e këmbejnë me para, në mënyrë të paligjshme, për t’ju gjendur qytetarëve aty dhe për të bërë detyrën, t’i çojmë përpara drejtësisë dhe para ligjit, të gjithë ata që shpërdorojnë detyrën, shpërdorojnë misionin e Policisë së Shtetit, duke e kthyer besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, në një marrëdhënie të cenuar.”

Advertisement