Rama: Rinia i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri e demokraci

Asambleja Botërore e Rinisë është mbledhur dje për herë të parë në Tiranë me temën: “Lidershipi i të Rinjve në Progres: “E Shkuara dhe e Ardhmja”.

Asambleja është përshëndetur nga kryeministri Edi Rama i cili kujtoi lëvizjen e dhjetorit të ’90 në Shqipëri. “Lëvizja e Dhjetorit 1990, këtu në Shqipëri, i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe në demokraci, kur liria dhe demokracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin asgjë tjetër, përveçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti, pa zë dhe brenda vetvetes. Rënia e perdes së hekurt, edhe për Shqipërinë, siç do të thoshte Vaslav Haveli, kapi në surprizë si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin.” Për kreun e qeverisë sot fatmirësisht jetojmë në një situatë tjetër pasi kemi mundësinë që gjërat t’i ndryshojmë përmes votës. Z. Rama theksoi se falë politikës kanë lindur projektet më të admirueshme që njerëzimi ka vënë në jetë. “Një nga këto projekte të admirueshme është Europa e Bashkuar. Sot Shqipëria është në përpjekjen për t’u bërë pjesë e BE, sëbashku me vende të tjera të këtij rajoni që falë politikës, sot, kanë kapërcyer një shekull luftërash, konfliktesh, vëllavrasjesh dhe po kapërcen me shpejtësi lumenj të tërë gjaku, ashtu siç i kapërcyen më parë Franca dhe Gjermania, që sot janë dy gurët e rëndë të themelit të Europës së Bashkuar, por përpara se ideja e Europës së Bashkuar të merrte jetë, ishin dy armiqtë e mëdhenj të njëri tjetrit, në këtë kontinent.” Kryeministri Rama përfundoi fjalën e tij duke theksuar se sa më shumë qytetarë të mirë të kemi aq më shumë jemi të sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë.

Advertisement