Hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve është rritur më tej në vitin 2018. Një anketë e zhvilluar njëkohësisht në të gjitha vendet e rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka evidentuar se 85% e shqiptarëve mendojnë se pabarazia është rritur.
Përgjithësisht vendet në zhvillimin të Europës, por sidomos ato të Ballkanit Perëndimor që vuajnë nga sindroma të njëjta të korrupsionit dhe mosfunksionimit të demokracisë kanë nivele të larta të pabarazisë.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë perceptuar pabarazinë në nivele të larta, pasi 85% e të anketuarve kanë pohuar se fenomeni është rritur në vitin 2018.
Në Serbi, 83% e qytetarëve pohuan se pabarazia është rritur gjatë vitit 2018, ndërsa në Bosnjë 78% e të anketuarve pohuan se pabarazia ishte në rritje vitin e fundit. Në këto nivele ishte edhe perceptimi i të anketuarve në Malin e Zi.
Kosova paraqitet në nivele disi më të kënaqshme, pasi vetëm 67% e qytetarëve të saj mendojnë se pabarazia është rritur më tej në vitin e fundit.
Indeksi global e mat pabarazinë me hendekun që krijohet ndër vite ndërmjet 20 përqindëshit më të ardhura të larta të popullsisë me 20 përqindëshin me të ardhura të ulëta. Hendeku ndërmjet këtyre kategorive duket se po zgjerohet.
Pak kohë më parë, Eurostat evidentoi se, pabarazinë më të lartë në kontinent në vitin 2017 e kishin Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Spanja.
Mënyra se si të ardhurat dhe pasuria shpërndahen në shoqëri përcaktojnë shkallën në të cilën individët kanë qasje të barabartë në mallrat dhe shërbimet e prodhuara brenda një ekonomie kombëtare.
Sipas vrojtimeve të brendshme të kryera nga INSTAT, në vitin 2018 pasuria, burimet dhe mundësitë ekonomike janë më të përqendruara në zonat urbane, pasi 30% e familjeve në zonat urbane janë në kuintilin më të lartë të pasurisë, krahasuar me vetëm 5% të familjeve në zonat rurale.
Në anën tjetër, vetëm 5% e familjeve në zonat urbane janë në kuintilin më të ulët, krahasuar me 42% të familjeve në zonat rurale, të cilat gjenden në kuintilin më të ulët të pasurisë.
Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë, siç tregohet nga koeficienti Gini, ndryshon dukshëm në prefektura, nga 0.06 në Durrës dhe 0.11 në Vlorë në 0.19 në Elbasan dhe 0.26 në Dibër. Vrojtimi i INSTAT gjeti se të gjitha familjet kanë televizor (98%), telefona celularë (97%), frigoriferë (96%), makina larëse (94%). 54% e familjeve në zonat urbane dhe 28% në zonat rurale kanë kompjuterë.
/Monitor/