8% e të punësuarve në Shqipëri punojnë në të 7 ditët e javës

Shqiptarët harxhojnë shumë kohë në vendin e punës, kundrejt një page dhe rendimenti të ulët. Statistikat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO referojnë se 9% e të punësuarve në Shqipëri punojnë mbi 48 orë në javë, ose një ditë pune më shumë se përshkrimi në Kodin shqiptar të Punës, 40 orë pune në javë.

Pjesa tjetër e të punësuarve punojnë 35 deri në 48 orë në javë dhe vetëm 7.9% e të punësuarve harxhojnë më pak se 35 orë në javë në punë. Të gjithë të punësuarit punojnë mesatarisht 41 orë pune, nga 40 orë që përcakton ligji. Të dhënat e ILO-s referohen deri në vitin 2019.

Advertisement

Sipas legjislacionit të brendshëm, kohëzgjatja e punës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës. Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë. Këshilli i Ministrave përcakton kohëzgjatje javore të reduktuar për punët që paraqesin vështirësi ose që janë të dëmshme për shëndetin. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

Nëse rrethanat kërkojnë kryerjen e orëve shtesë të punës, punëdhënësi mund t’i kërkojë punëmarrësit për të kryer orë shtesë pune, për aq kohë sa është e mundur dhe e nevojshme, si dhe duke marrë parasysh kushtet vetjake dhe familjare të punëmarrësit. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Orët shtesë nuk mund të kalojnë limitin prej 48 orësh në jave dhe 200 orësh në vit.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, koha më e gjatë e punës është në sektorin e prodhimit, me 45.8 orë; tregti, Transport, Hoteleri, Shërbime të Biznesit dhe Administrative, me 44. 8 orë. Në ndërtim, puna zgjat 42.7 orë gjatë një jave. Më pak në vend punojnë punonjësit e shtetit, me 39.8 orë.

Orët e gjata të punës nuk prodhojnë fitime më të larta për punonjësit. Të dhënat e krahasueshme rajonale që i takojnë vitit 2019 tregojnë se, Shqipëria ofron paga me diferencë gati 30% për të gjitha gruprofesionet kryesore.

Si rrjedhojë Shqipëria ka produktivitetin më të ulët të punës në shkallë europiane. Për shembull një biznes fasonerie në Itali gjeneron dy herë më shumë të ardhura se një fason në Shqipëri me të njëjtin numër punonjësish.

Mungesa e aftësive dhe hendeku teknologjik po mbajnë në presion të ardhurat nga puna në vendin tonë, teksa bota është përfshirë në eksperimente që tregojnë se shkurtimi i orareve të punës ndikon në rritjen e fitimeve për kompanitë.

Vitin e kaluar, Microsoft Japan tha se, shitjet ishin rritur me gati 40% gjatë një eksperimenti ku punëtorët përfituan nga një fundjavë tre-ditore me pagë të plotë. Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin preferon uljen e ditës së punës nga tetë orë në gjashtë. Kryeministri i Zelandës së Re Jacinda Ardern po sugjeron gjithashtu javë më të shkurtër si një mënyrë për të rritur turizmin dhe për ta vendosur vendin përsëri në rrugën e rikuperimit pas-pandemisë./B.Hoxha