Ka zgjatur 90 minuta takimi kokë më kokë mes kryeministrit Rama dhe zv.ndihmëssekretarit amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee, i cili ka mbërritur sot në Tiranë për një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet parlamentare.
Menjëherë pas takimit me Ramën, zyrtari i lartë amerikan ka shkuar në zyrën e kreut të Kuvendit Meta. Në orën 14:45, është programuar takimi i Yee me kreun e opozitës Basha.
Hoyt Brian Yee ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e së dielës dhe takimin e parë do ta zhvillojë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do ta përmbyllë me dy deputetë të Partisë Demokratike, Astrit Patozin dhe Majlinda Bregun.
Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.
Axhenda e takimeve
Në orën 10:30 takim me Ramën
Në orën 11:30 takim me Metën
Në orën 14:45 takim me Bashën
Në orën 17:00 takim me Patozin dhe Bregun
Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendësndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.
15 maj 20217 (gazeta-Shqip.com)