Një botë ku ADN mund të rishkruhet për të shëruar sëmundje vdekjeprurëse mund të bëhet realitet më shpejtë nga sa mendohej.
Një grup shkencëtarësh kinezë, amerikanë dhe britanikë njoftuan se për herë të parë kanë arritur të modifikojnë gjenetikisht qelizat njerëzore. Pacienti i parë që i është nënshtruar kësaj teknike është një kinez. Atij iu injektuan qeliza imune të korrigjuara për të luftuar kancerin në mushkëri.
Rezultatet e para, thonë shkencëtarët janë mbresëlënëse, por sërish ata shmangin euforinë dhe thonë se të tjera testime janë të nevojshme.
Teknika e përdorur është ajo që në mjekësi njihet si “CRISPR”, ose e quajtur ndryshe si “gërshëra molekulare”. Këto “gërshërë” shkëpusin nga molekulat kodin gjenetik difektoz dhe e zëvendësojnë atë me instruksione të reja për të ndërtuar qeliza të shëndetshme.
“CRISPR” është cilësuar si e ardhmja e korrigjimit gjenetik sepse është kushton shumë më pak, është shumë e lehtë dhe më e saktë se metodat e tjera zëvendësuese apo korrigjuese të kodit të ADN-së.
Ekspertët britanikë thanë se “CRISPR” ka potencialin për të transformuar mjekësinë duke kuruar shumë sëmundje. Ata presin që në vitet në vijim të kryhet një progres më i madh në këtë drejtim.
“Është e qartë se përmirësimi dhe përvetësimi i plotë i kësaj teknologjie është e ardhmja në luftimin e sëmundjeve, sidomos të atyre që lidhen me autoimunitetin”, thotë profesori i Fakultetit të Biologjisë, Mjekësisë dhe Shëndetit në Universitetin e Mançesterit, Andreë Sharrocks.
Rasti i parë i aplikimit të kësaj teknike u ndërmor nga onkologu kinez, Lu You i Universiteti të Chiuanit. Ai mori qelizat e gjakut të pacientit të tij, që vuante nga kanceri në mushkëri dhe çaktivizoi genin që përmban udhëzimet e prodhimit të proteinës së quajtur PD-1.
Kjo proteinë funksionon si antenë e vendosur në sipërfaqen e qelizave të imunitetit dhe lokalizon qelizat e shëndetshme në mënyrë që sistemi imunitar të mos i sulmojë.
Por qelizat kancerogjene kanë një aftësi për t’u maskuar si qeliza të shëndetshme, ndaj i shpëtojnë sulmit të qelizave imunitare, që nuk i shohin si kërcënime.
Çaktivizimi i PD-1 në këtë rast ka sjellë efektet e para pasi qelizat imunitare kanë sulmuar agresivisht qelizat kancerogjene, ndonëse profesori Lu You thotë se do të duhen edhe disa muaj më tepër kohë për të verifikuar, sidomos efektet anësore të saj.