You&Me/ Balerina Isida Mollaymeri: Punojmë pa kushte dhe nuk vlersohemi

Të ftuara në studion e You & Me  në NRG Radio me Julkën dhe Arjonin kanë qenë dy balerinat e talentuara Isida Mollaymeri dhe Adel Lami, të cilat na treguan se sa e vështirë është të jesh balerinë këtu në Shqipëri dhe jo vetëm…

Vajzat treguan për raportin e tyre të ngushtë të miqësisë, ëndrrat, pasionet, udhëtimet si dhe Dancing With The Stars.

Advertisement

Por le të ndalemi pak tek një problem që i prek ato kur bëhet fjalë për profesionin që kanë zgjedhur. E pyetur nga Julka se si ndihen balerinët kur kolegët e tyre shqiptarë, të cilët ushtrojnë profesionin jashtë, kthehen në vend si të ftuar specialë, Isida u shpreh: “E vetmja gjë që ne themi gjithmonë është se ne shqiptarët nuk e vlerësojmë kurrë njëri-tjetrin, pra ne vlerësojmë vetëm ata që kanë ikur jashtë. Ata që kanë ikur jashtë, kanë ikur se ashtu e kanë menduar, kanë ikur se iu është dhënë mundësia, pra nuk është se ata bëjnë më shumë ne këtu, thjesht ata kanë pasur më shumë pedagogë se ne, kanë pasur më shumë kushte, teknika është më e lartë se tek ne, ndërsa ne, me aq sa kemi mundësi, me aq sa kushte janë…që nuk ka ngrohëse… (se këta vijnë e ulërasin që nuk ka ngrohëse, nuk ka fizioterapist). Ne nuk kemi pasur ngrohëse kurrë kemi kërcyer edhe me 39° dhe askush nuk ka pyetur se si jemi”, sqaroi balerina.

E pyetur gjithashtu nëse do të largohej nga Shqipëria po t’i jepej mundësia, Isida tregoi se ajo ka pasur një mundësi mjaft të mirë për të studiuar në Angli, por për arsye ekonomike i është dashur të qëndrojë këtu. Kjo sepse shkolla e baletit ka një kusht, që balerinët nuk mund të punojnë si studentët e tjerë nëpër bare apo biblioteka pasi profesioni i tyre është fizikisht shumë i lodhshëm dhe trupi ka nevojë të qetësohet 2-3 orë në ditë.

Ndiqni intervistën e plotë më poshtë: