Të paktën 11 pjesëtarë të Al Kaedes u vranë në 2 sulme ajrore të forcave amerikane në Idlib të Sirisë gjatë këtij muaji, përfshirë edhe një ish-aleat të Osama Bin Ladenit.

Zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis njoftoi se 10 operative ishin vrarë në një sulm të vetëm në 3 shkurt.

Advertisement

Një sulm i dytë i zhvilluar një ditë më vonë, rezultoi me vdekjen e Abu Hani al-Masri, i cili kishte lidhje të ngushta me ish-liderin e Al Kaedës. Al Masri thuhet të ketë krijuar dhe drejtuar kampet e grupit terrorist në Afganistan gjatë viteve 80 e 90.

Ai kishte lidhje të afërta edhe me Ayman al-Zawahiri, i cili mori drejtimin e Al Kaedës pas vrasjes së Bin Ladenit nga forcat amerikane në 2011.

Sipas Pentagonit, sulmet ajrore cenojnë aftësitë e Al Kaedes për të ideuar dhe drejtuar sulme që shënjestrojnë SHBA dhe interesat e vendit në mbarë botën. Influenca e Al Kaedës në Siri ndihej përmes grupit Jabhat Fateh al-Sham, i njohur më parë si Fronti al-Nusra. Por në mesin e viteve 2016 grupi njoftoi se nuk kishte më lidhje me ndonjë grup të jashtëm, çka nxiti spekulimet se i kishte ndërprerë marrëdhëniet me Al Kaedën.

Një operacion amerikan kundër Al Kaedës në Jemen javën e kaluar, i pari që autorizohej nga presidenti i ri Donald Trump rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të forcave speciale dhe të 16 civilëve. Administrata e Trump-it e cilësoi operacionin si të suksesshëm.