Vrasja e kryekomisarit, Akuza: Burg përjetë për Arben Frrokun

Burg për jetë kërkoi prokuroria e krimeve të Rënda për Arben Frrokun, të akuzuarin e vetëm për vrasjen e kryekomisarit të Kombinatit Dritan Lamaj shkurtin e 2013-ës.

Ka zgjatur për afro dy orë seanca e pretencës e zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Vetë i akuzuari, biznesmeni Frroku nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërsa 2 avokatët e tij i kanë cilësuar fantazi të Prokurorisë akuzat dhe provat e paraqitura, duke deklaruar se do ta çojnë çështjen në Apel.
Sipas dëshmive rezulton se Frroku është autor i kësaj vrasje dhe prokurori ka kërkuar transferimin e tij në burgun e sigurisë së lartë.
Pas pretencës dy avokatët e Frrokut u shprehën për mediat se e prisnin një vendim të tillë nga Prokuroria. Ata i qëndruan pretendimit që kanë mbrojtur përgjatë gjithë procesit të nisur ndaj biznesmenit, se Arben Frroku nuk ka lidhje me vrasjen e komisarit Lamaj. Ata hodhën akuza se dëshmitari i mbrojtur në gjyq, me emrin e vendosur nga drejtësia Arben Ndoka, është paguar për të deklaruar se ka parë Frrokun në makinën nga ku u qëllua kryekomisari dy vjet më parë pranë banesës së tij.
“Ky gjykim u ndoq nga grumbullimi i më shumë provave sesa kish grumbulluar vetë hetimi, nuk arritën të provojnë dhe të japin asnjë të dhënë që Frroku është autor. Është bërë zakon që prokurorët në mungesë të provave kërkojnë burgim të përjetshëm. Rasti i vrasjes së komisarit është i rëndë por i akuzuari nuk ka lidhje me ngjarjen. Frrokun e akuzojnë në bashkëpunim por akoma nuk kanë arritur të gjejnë bashkëpunëtorët. Të gjitha janë aludime të prokurorit.
Dëshmitari i vetëm është dëshmitari i mbrojtur me identitet të rremë dhe gjykata ka bërë shkelje të rëndë procedurale, vazhdoi me identitetin e rremë edhe kur doli emri i vërtetë. Ky është dëshmitar i paguar për këtë punë. Ky është shkëputur nga programi i mbrojtjes, ju vendos eksploziv dhe u mor sërish si dëshmitar. Nga mospranimi i identitetit të saktë janë rrëzuar kërkesat tona duke justifikuar se cenohet identitet i këtij personi kur në kohën që i kërkuam ne ka qenë i zbuluar
Kontestuam eksperimentin, duhet të dokumentohet të fotografohet dhe asnjë element nuk përmbushet.
Nuk është fundi i këtij gjykimi.
Ne nuk mund të paragjykojmë vendimin gjykatës mund të pyesni prokurorinë si do paraqitet në apel”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Advertisement