Debati për votën e Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për rezolutën për bisedimet mbi një traktat për ndalimin e armëve bërthamore, ka bërë që deputetja Jozefina Topalli të kërkonte thirrjen e ministrit Bushati në Komisionin e Jashtëm.
Kreu i diplomacisë shqiptare ka sqaruar se, vota “pro” rezolutës dhe njëkohësisht në kundërshtim me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një gabim njerëzor, e menjëherë është kërkuar ndryshimi i saj.
“I njëjti gabim, për të njëjtën rezolutë, është bërë edhe nga dy vende të tjera, përkatësisht Itali dhe Estoni. OKB-ja do të publikojë votën kundër të korrektuar të Shqipërisë në mars të këtij viti”, deklaroi ministri i Jashtëm Bushati.
Por ministri Bushati sqaroi edhe ndryshimin e votës së Shqipërisë lidhur me këtë rezolutë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca shtuan përpjekjet pranë aleatëve dhe vendeve të tjera, për të siguruar më shumë abstenime dhe vota kundër. Duke qenë se kërkuan një lëvizje plotësisht të kundërt për Shqipërinë, në krahasim me qëndrimet e mëparshme që prej vitit 2012, pas konsultave është përgatitur një dokument ku jepen të gjitha arsyet pro dhe kundër nga misionet tona, dhe në maj të vitit 2016 iu premtua partnerëve amerikanë dhe francezë që Shqipëria do të kalonte votën e saj kundër”, tha Bushati.
Ministri Bushati u pyet edhe për vizitën e tij në Iran, ku për herë të parë pranoi se ishte folur për muxhahedinët.
“Ramë dakord për të diferencuar këto çështje nga raporti dypalësh. Pra për të mos vendosur çështjen e MEK-ëve, pavarësisht qëndrimeve diametralisht të ndryshme, si çështje e cila do t’i ngurtësonte më tej raportet tona”, u shpreh Bushati.