Vlorë | FSHZH përfundon rikonstruksionin e rrugës Kote-Sevastër

12 mijë banorë të Komunave Kote dhe Sevaster në rrethin e Vlorës do të komunikojnë përmes një rruge të asfaltuar të parametrave bashkëkohore. Rikonstruksioni i rrugës “Kote – Sevaster” me gjatësi prej 15,3 km, është një investim i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale. Punimet civile për rikonstruksionin e kësaj rruge janë financuar nga BERZH, BEI, IPA 2010-2011 dhe Qeveria Shqiptare. Vlera e investimit për rikonstruksionin e rrugës “Kote-Sevaster”‘ është 702 milionë lekë. Ky segment rrugor si pjesë e rëndësishme e aksit nacional “Tepelenë – Vlorë” përveçse shërben si lidhje e rretheve Tepelenë e Vlorë u shërben direkt komunave Kote dhe Sevastër të rrethit Vlorë pasi përshkon fshatrat Kote, Vajzë, Plloce e Sevaster, duke i lidhur ato me qendrën e komunës dhe qytetin Vlorë. Ky aks rrugor mundëson gjithashtu edhe aksesin për në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Amantias. Rruga e re ka një gjerësi asfalti që varion nga 4.75 m në 5.5m dhe bankina anësore prej 0.5 m në të dy anët. Rruga është e pajisur me të gjithë elementët e infrastrukturës siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale,kanalizimet e ujrave të bardha, mure mbajtës e pritës, tombino, trotuare në zonat e banuara si dhe mbrojtëse metalike.