Vjedhja e energjisë elektrike- Procedohen 30 persona, arrestohen 7 autorë

Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në kuadër të operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike ka proceduar 30 persona gjatë javës së shkuar, teksa në 7 raste janë arrestuar autorët.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, mësohet se nga datat 21 deri në 27 shtator, në  të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 80  grupe të përbashkëta Polici- OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici- OSHEE në 5 056 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë janë evidentuar 30 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 30 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 7 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike.

Advertisement

Janë shpallur në kërkim 8 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 15 persona. Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1. 759 lidhje të abonentëve debitorë dhe 30 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 97 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

Policia e Shtetit dhe OSHEE  janë të vendosur ta çojnë  deri në fund punën e nisur,  deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Ndërkaq, Policia ka vijuar punën për ndalimin e personave edhe në kuadër të ndërtimeve pa leje, apo prerjeve të pyjeve, si dhe lotarive të paligjshme.

Sa i përket ndërtimeve të paligjshme, gjatë kësaj periudhe nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 31 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 31 autorë nga të cilët, 5 autorë janë arrestuar në flagrancë, 25 autorë ndiqen në gjendje të lirë ndërsa 1 person është shpallur në kërkim.

Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 10 raste me 10 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Ndërsa në  fushën  e organizimit të lotarive  të palejuara,  Policia e Shtetit ka evidentuar 4 raste me 4 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Në  cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 makineri të lojrave, 4 kompjutera dhe 5 televizorë.