Mbrojtja e të dhënave personale, Ministrja Harito: Duhet siguri më e madhe

“Mbrojtja e të dhënave personale ka nevojë edhe për më shumë siguri”, deklaroi sot Ministrja për Administratën Publike dhe Inovacionin, Milena Harito.

E pranishme në punimet e Workshopit dy ditor me temë, “Takimi i 27 i Punës së Rasteve të Veçanta”, i njohur si “Case Handling Workshop”, ajo tha se zhvillimi teknologjik i kohëve të fundit, sjell nga njëra anë rritjen e instrumentave për mbrojtjen e të dhënave personale, por nga krahu tjetër i ka dhënë mundësi piratëve të gjejnë rrugë të reja për të përfituar nga teknologjia në dëm të personave të caktuar.

Advertisement

Ajo vlerësoi si mjaft të rëndësishëm edhe bashkëpunimin me zyrën e Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale. “Qeveria Shqiptare dhe Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale kanë ushqyer gjithnjë mardhënie

të shëndetshme. Zhvillimi i shpejtë teknologjik na vendos gjithnjë përballë sfidave të reja, pasi nga njëra anë kemi më shumë instrumente për të mbrojtur të dhënat personale, por nga krahu tjetër, piratët kanë edhe më shumë rrugë për të kërcënuar këto të dhëna”, tha Harito.

“Ushtrimi i të drejtave Kushtetuese të qytetarëve dhe mbrojtja e tyre me standarde të larta dhe praktikat më të mira ligjore është një detyrim jo vetëm institucional, por dhe një kontribut për demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë sonë, në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, vijoi Harito.

Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke cituar ligjin mbi të cilin funksionon ky institucion (Ligji nr 9887 datë 10.03.2008, për mbrojtjen e të dhënave personale), tha se sfidë mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve në këtë drejtim. “Është e rëndësishme që qytetarët të kenë ndërgjegjësimin e duhur për të denoncuar shkeljet e bëra në drejtim të tyre, me qëllim që dhe organet e përkatëse të bëjnë detyrën e tyre, duke ndëshkuar autorët. Zyra jonë, shtoi Dervishi është e hapur për të gjithë ata që duan informacion në këtë drejtim”.

“Qytetarët kanë nevojë për më shumë informacion mbi rëndësinë që ka privatësia e tyre dhe rrugën që duhet ndjekur për ta mbrojtur atë. Lidhur  me këtë, si dhe me ndryshimet teknologjike që na paraqiten, Zyra jonë po vlerëson mundësinë e përmirësimit të ligjit, për të ndjekur problemin e mbrojtjes së të dhënave personale me të njëjtën filozofi, si të vendeve në zhvillim, si dhe për të qasur edhe më mirë standardet e praktikat e përdorura nga vendet të cilat kanë një eksperjencë të gjerë në këtë proçes”, tha Dervishi.

Ndërkaq, pjesë e agjendës së këtij takimi nuk janë vetëm prezantimet e punës së autoriteteve homologe të mbrojtjes së të dhënave personale, por edhe nga kontrollues publikë, si dhe privatë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre  në vendin tonë, duke sjellë eksperiencat e tyre më positive në këtë drejtim. Zyra e Komisionerit Shqiptar u përzgjodh gjatë këtij viti, me mbështetjen e homologëve britanik, si zyra që do të organizonte këtë workshop.

“Case Handling Workshop” është një forum, ku trajtohen praktikat më të mira të mbrojtjes së të dhënave personale dhe të privatësisë.

Workoshopi është krijuar si një nën-grup i Konferencës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Shkëmbimi Informacioneve mbi çështjet praktike dhe promovimi kontakteve mes autoriteteve janë vetëm disa nga qëllimet kryesore të këtij seminari. Po ashtu dokumentat të cilat po trajtohen në këtë aktivitet do të përpunohen në formën e një manuali dhe do të prezantohen nga autoritetet shqiptare gjatë punëve të Konferencës Evropiane.