Sot ka nisur viti i ri akademik. Rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteve.
Viti i ri akademik për studentët e mjekësisë ka nisur me bojkot të procesit arsimor dhe protesta, pasi ata kundërshtojnë ligjin i cili i detyron ato të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve.
“Sot në orën 12:00, Lëvizja Për Universitetin do të mbajë një komunikatë te Ministria e Arsimit. Përveç se do të jemi te protesta e Mjekësisë që në mëngjes një grup nga ne, gjithashtu do të mbajmë edhe komunikatën me kërkesat dhe problematikat që e gjejnë studentët universitetin edhe këte vit të ri akademik”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Për Universitetin.
Ky bojkot vjen pasi ata kundërshtojnë ligjin e ri, i cili i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Studentët nga vitit i dytë deri në vitin e katërt do të punojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit.
Alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur. Ndërkohë, që nuk ka një vendim të institucioneve në lidhje me pagesën që do të duhet të paguajnë studentët nëse nuk do ta firmosin marrëveshjen.