Videoskandali në QSUT, pranga dy të rinjve të tjerë protagonistë

Pas 24 orësh të arrestimit të Evarist Pashës, një nga protagonistët e videoskandalit në QSUT të ngacmimit seksual me minorenen pa ndjenja, policia e Tiranës ka prangosur ditën e sotme edhe dy të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë skandal.

Të arrestuarit janë Albi Bocaj dhe Patrik Kacaj, që të dy 18 vjeçarë. Arrestimi i tyre është kryer me urdhër të Prokurorisë, pasi ata akuzohen për ngacmim seksual të pacientes e identifikuar si e mitura 17 vjeçare nga Tirana. Ngjarja ka ndodhur në muajin prill të vitit 2014, ku të rinjtë Bocaj e Kacaj kanë qenë në një nga lokalet e natës në shoqërinë e 17 vjeçares dhe pas konsumimit të alkoolit kanë përfunduar në Urgjencën e QSUT-së. Xhirimet e videos janë kryer me celularin e Bocajt, i cili aktualisht është konfiskuar nga grupi hetimor si provë materiale. Ditën e djeshme, policia prangosi 25 vjeçarin Evarist Pasha nga Tepelena, ish-student Infermierie, dhe me precendetë të mëparshëm penal, i arrestuar më 2009 për trafik të 100 kg kanabis sativa me destinacion nga Lazarati për në Greqi. Sipas të dhënave, Pasha ka qëndruar mbi një vit në qelitë e paraburgimit, nën akuzën e “Trafikim të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas policisë Pasha nuk kishte njohje me të rinjtë por ka rastisur në ambientet e Urgjencës. Sipas hetimeve të kryera, ai punon në një agjenci funerale dhe është paraqitur në urgjencë për t’u interesuar për ndonjë klient që mund të kishte ndërruar jetë, dhe teksa ka parë të rinjtë që ngacmonin vajzën, është bërë pjesë e tyre. Evaristi ka pranuar përfshirjen e tij në video, duke dëshmuar për blutë e Tiranës se gjithçka është kryer në muajin prill kur të rinjtë janë paraqitur në urgjencë. Vajza 17 vjeçare në dëshminë e dhënë prej saj ka treguar se nuk mban mend asgjë nga ajo natë, pasi në spital ishte dërguar në gjendje të dehur. Minorenja ka pranuar se ka qenë në lokal me djemtë, ndërsa ka kërkuar dënimin e tyre për këtë akt të rëndë. Ndërkaq, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, një tjetër person është shoqëruar mbrëmjen e djeshme, por ai është lënë i lirë, pasi nuk kishte lidhje me ngjarjen. Ndërkohë të rinjtë pritet që nesër të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Prokuroria e Tiranës tha se për ta do të kërkohet masa e sigurisë arrest me burg për kryerjen e veprimeve të turpshme me një të mitur dhe dhunimin e pacientes.

Advertisement

Abuzimi i 3 të rinjve me vajzën pa ndjenja

Video e publikuar në rrjetet sociale, e cila zgjat rreth 50 sekonda, ka të bëjë me një skandal që ka ndodhur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku tregohen tre djem që ngacmojnë seksualisht një vajzë të re e cila është pa ndjenja. Ata gjenden në një dhomë ku në shtrat ndodhet si paciente vajza e re, në gjendje të pavetëdijshme. Djemtë abuzojnë me të duke i zbuluar pjesët intime dhe duke ia prekur ato. Gjatë videos një nga të rinjtë, shprehet: “Jemi në spitalin Nënë Tereza ndërsa i vajzës pa ndjenja: Si je rrushi?” Në video veç djemve shfaqet edhe një tjetër mashkull, i dyshuar si roje private i spitalit, i cili edhe ai nis të ngacmojë dhe të prekë pjesët intime të vajzës. Video u çensurua mbrëmjen e së shtunës së 3 janarit nga vetë You Tube, për shkak të përmbajtjes seksuale dhe lakuriqësisë. Menjëherë pas publikimit të kësaj video, kanë reaguar edhe instancat shtetërore më konkretisht Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit. Në një deklaratë për shtyp, Ministri Beqaj, teksa dënoi këtë si një ngjarje të rëndë, njoftoi të dielën ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për verifikimin e videos nëse ishte xhiruar në ambientet e QSUT-së. Ndërsa nga ana e saj, Policia e Tiranës bëri të ditur nisjen e hetimeve dhe arrestimin e personave të përfshirë, nën akuzën e “Ngacmimit seksual të kryer në bashkëpunim”.