Vettingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Lartë

Konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Medi Bici. Vendimi në fjalë është dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Bici ishte anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që iu nenshtrua vettingut, ndërsa ai kandidon edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kujtojmë se seanca dëgjimore me gjyqtarin Bici u zhvillua dje, ndërsa trupa gjykuese kryesohej nga Xhensila Pine dhe anëtaret Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Advertisement

11 provat me të cilat u mbrojt dje Bici para KPK
Ndërkohë ILDKPKI raportonte se subjekti ka kryer fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, lidhur me një shtëpi trekatëshe që zotëron në periferi të Tiranës. Për të rrëzuar gjetjet e këtij institucioni, kandidati për Këshillin e Lartë Gjyqësor, paraqiti dje 11 prova të reja.

“Shtëpinë e bleva për 13 mijë lekë në vitin 1986, pas 20 vitesh pune në Minierën e Valiasit”, tha gjykatësi. “Pas rënies së diktaturës”, – theksoi ai – “më lindi nevoja të ndërtoja një shtëpi të re, e më kursimet që kisha nga puna, bleva materialet”.
“Ndërtimi zgjati deri në 1996 e prej atëherë në shtëpi nuk është bërë asnjë ndërhyrje”, sqaroi gjykatësi.

Pas kësaj me shumë qetësi ai bëri një rezyme të karrierës së tij të gjatë. “Studimet i nisa me shumë vonesë. I përfundova në 1994 e menjëherë më pas u emërova gjykatës. Jam ndër gjykatësit më të vjetër në Shqipëri. Kam firmosur tre dënime me vdekje dhe të përjetshme. Asnjë prej vendimeve të mija nuk është cënuar. Në 2007 jam cilësuar edhe gjykatësi i vitit. Me shumë mund ngjita një e nga një shkallët e karrierës”, tha Bici. Ai nuk hezitoi të fliste dhe për jetën modeste që bën.

“Tre fëmijët e mi nuk arrita ti shkolloja jashtë, edhe pse ishin nxënës ekselentë e merrnin bursë nga Bashkia e Tiranës. Më ndihmoi vëllai, pasi unë dhe bashkëshortja, e cila me mbeti gjatë pa punë, ishim në pamundësi për t’u krijuar kushtet”, vijoi ai. Në përfundim, Medi Bici kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa jashtë dyerve të sallës tha se është shpresëplotë se do të marrë drejtësi./BallkanWeb/