Partia Demokratike përsëriti të martën pretendimet se Komisionit të Venecias i është dërguar për marrje opinioni versioni i përkthyer gabim i ligjit të Vetting-ut.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e PD-së, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paraqiti prova, që sipas tij, vërtetojnë se teksti i draftit është i deformuar qëllimisht.
“Ato janë dokumente të dërguara nga autoritetet shtetërore shqiptare që kanë interes që ligji i Vetting-ut në fund të kalojë antikushtetues, pra të miratohet dhe të qëndrojë siç është, me këto shkelje antikushtetueshmërie, tha deputeti i PD-së.
Përkthimi, sipas Bylykbashit, zbut antikushtetuetshmërinë e tekstit në shqip, duke i hedhur ‘hi syve’ Komisionit të Venecias.
I pyetur rreth deklaratave një ditë më parë të ambasadorit amerikan Donald Lu, se PD ka frikë nga Vetting-u, Bylykbashi u përgjigj se “ne presim zbatimin e menjëhershëm të ligjit të Vetting-ut, në përputhje me Kushtetutën, pa humbur kohë dhe oferta jonë është ta ndryshojmë tani, në përputhje me Kushtetutën dhe ta fillojmë çështjen pa pritur asnjë lloj vendimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Përtej kësaj, këto fakte tregojnë që ne nuk gënjejmë, që do të thotë duke qënë se gënjeshtarët janë frikacakë, ne nuk jemi”, nënvizoi ai.
“Zyrtari demokrat theksoi se nga momenti i miratimit të amendamenteve kushtetuese, PD e ka mbështetur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Por, sipas tij, kjo nuk bëhet duke manipuluar përkthimin dhe duke bërë që Komisioni i Venecias të hyjë në drejtim të gabuar. Ka një tentativë që të bëhet e mundur që ligji i Vetting-ut të mos konsiderohet si një ligj që ka probleme të rënda. Kushtetueshmëria nuk arrihet me deformimin e ligjit dhe as me etiketimin e atyre që e kanë konstatuar”, u shpreh Bylykbashi.
Përkthimi, vijoi ai, i dërguar më 16 tetor në Komisionin e Venecias nga një autoritet shtetëror është ai, që më pas e vërteton edhe Gjykata Kushtetuese, i bërë nga EURALIU-s.
“Duhet ta zgjidhin ata që e kanë e dërguar dhe ta gjejnë, kushdo që ka interes, se cila është e vërteta pas këtij manipulimi. Kemi konstatuar faktet, kemi pritur për më shumë se një javë pa e bërë publike që t’í jepet zgjidhje kësaj çështje, meqë ka një tentativë shumë të fortë, që në mënyrë publike apo nën rrogoz, të manipulohet opinioni publik, sikur gjoja PD po përdor një version më të vjetër, nuk është e vërtetë. Ju e dini që PD dhe opozita i ka marrë 24 orët e fundit para miratimit draftet në shqip dhe kurrë në anglisht” , deklaroi Bylykbashi.