Një pikturë e artistit austriak me famë botërore, Gustav Klimt, është shitur në ankand për shumën rekord të 48 milionë paundëve.

Shitja e realizuar nga “Sotheby’s” e Londrës e kthen pikturën e titulluar “Kopshti i shtëpisë së fermës”, në veprën e tretë të artit të shitur ndonjëherë më shtrenjtë në Europë.

Advertisement

Kjo ishte e para herë në 20 vite që krijimi me bojëra vaji në kanavace gjendej nën çekiçin e një shtëpie ankandesh. Ajo u bë pjesë e shitjeve rekord prej 200 milionë paundësh të realizuar nga “Sotheby’s” ditën e mërkurë.

Deri më sot, vepra e shitur më shumë në kontinentin e vjetër vazhdon të konsiderohet skultpura e “Njeriut që ecën” e Alberto Giacomettiit, e pasuar në vend të dytë nga “Masakra e të pafajshmëve” e Peter Paul Rubensit.