Venezuelë | Vuante nga kanceri, ndërron jetë presidenti Chavez, 7 ditë zie, zgjedhje brenda 30 ditëve

Presidenti venezuelian, Hugo Chavez ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar në Karakas ndërkohë që përballej me një kancer, deklaroi për televizionin publik vendas zëvendëpresidenti, Nicolas Maduro. ”Kemi marrë njoftimin më tragjik të mundshëm që mund t’i japim popullit tonë në këto momente. Në orët e e para të mbrëmjes së 5 marsit, ka ndërruar jetë komandantit ynë, presidenti Hugo Chavez Frias pas një beteje tepër të fortë me një sëmundje me të cilën ishte diagnostikuar që prej dy vjetësh”, deklaronte Maduro, me lot në sy. Ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jose Jaua Milano, deklaroi 7 ditë zie pas vdekjes së presidentit Chavez, duke shtuar se trupi i tij do të qëndrojë në zyrat e shtetit, deri ditën e premte, kur do të zhvillohet edhe funerali i tij. Zëvendës presidenti, Nicolas Maduro, do të mbajë postin e presidentit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen brenda 30 ditëve të ardhshme, siç njoftoi Jaua. Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se SHBA e mbështet dhe i qëndron pranë popullit venezuelian në fillimin e një ere të re në historinë e tij. ”SHBA-ja konfirmon mbështetjen e saj për popullin venezuelian që po fillon një faqe të re në historinë e tij si komb”, deklaroi Barack Obama. ”Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritin mbështetjen për popullin e Venezuelës dhe po ashtu interesin e tyre në zhvillimin e një raporti konstruktiv me qeverinë venezueliane”, shprehej Barack Obama në një koment lidhur me vdekjen e presidentit dhe liderit të Venezuelës, Hugo Chavez. Sipas Kushtetutës, kreu i Kongresit, Dioasdadho Kabejo, do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Chavez e mori presidencën në 1998 dhe në tetor të vitit 2012 fitoi edhe një mandat tjetër 6-vjeçar. Hugo Chavez, një udhëheqës karizmatik dhe i ashpër, e përçau opinionin brenda dhe jashtë Venezuelës. Për përkrahësit, ai ishte një president reformues, një mbrojtës i socializmit që sfidoi elitën politike dhe u dha shpresë të varfërve. Gjithashtu përdori rezervat e mëdha të naftës, të vendit të tij, për ta rritur influencën në arenën ndërkombëtare. Aktualisht, ka thene zëvendës presidenti Maduro, tha se qeveria ka shpërndarë në të gjithë vendin forcat e armatosura dhe policinë “për të shoqëruar dhe mbrojtur popullin tonë, si dhe për të garantuar paqen”. Më herët, ai njoftoi se kishte dëbuar dy diplomatë amerikanë nga vendi, me justifikimin se kishin spiunuar ushtrinë venezueliane. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Elias Jaua, vetëm pak çaste më vonë bëri të ditur se kishte dëbuar një atashe të dytë ushtarak të Forcave Ajrore. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Lejtnant-Kolonel Todd Breasseale, u shpreh më vonë se “Ne refuzojmë tërësisht deklaratën e qeverisë venezueliane, në lidhje me përfshirjen e SHBA-ve në ndonjë tip konspiracioni për të destabilizuar qeverinë e Venezuelës”. “Për më tepër, ne refuzojmë absolutisht akuzat specifike të lëshuara nga qeveria venezueliane kundër atasheut të Forcave Ajrore, David Delmonaco, si dhe ndaj ndihmës-atasheut Devlin Kostal”.

Advertisement