Veliaj: Unaza e Madhe përfundon vitin tjetër!

Kandidati i Partisë Socialiste për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar në emisionin “Opinion” ka shpjeguar për projektet më të rëndësishme që prekin kryeqytetin.

Veliaj tha se 7 lotet e Unazës së Madhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.

Advertisement

“Sot mund t’ju them që të 7 lotet janë në funksion dhe unë besoj që deri në fund të vitit tjetër i kemi mbaruar të 7 lotet. Kujdes! Duke presupozuar që politika me 2 gishtat përpjetë nuk e bllokon si Astirin”.

Velaj u ndal edhe tek investimet në arsim. Ai tha se në 8 vite u ndërtuan 40 shkolla.

“Kthesa e Kamzës kishte 22 gjyqe, “Sami Frashëri” ka qenë 6 muaj në SPAK. Pra për të bërë këto gjërat që sot duket sikur janë gallatë, edhe rendera, bëhet një punë e jashtëzakonshme”.

Për ndërtimet në kryeqytet, Veliaj tha se ato kanë ardhur në përputhje me kërkesat e kohës.

“Tirana sot po zhvillohet si një qytet që rritet me 20-25 mijë banorë çdo vit, që përkthehet në 8 mijë apartamente gjithashtu çdo vit”.

Garantoi se gjatë 2 mandateve të tij janë mbjellë 1 milion pemë. Për projektin e Këlliçit për një nënkalim në Sheshin Skënderbej tha se është i parealizueshëm.

“Pse nuk e bën për shembull “Duomo” që t’i fusë të gjithë aty? Sepse ideja nuk është që të ftojmë trafikun të vijë në qendër. Të përdorë unazën dhe të lehtësojë”.

Veliaj i ktheu përgjigje edhe kundërshtarit të tij politik duke u shprehur se nuk ka frikë nga debati.

“Debate me gishta të një koalicioni që nuk nxjerr as fytyrën sot në këtë fazë të fushatës nuk bëj dot. Nëse Sali Berisha qenka lideri, bujrum të vijë Berisha kur të duash debat”.