Vdekja e kenianes Joy Ayoko, shoqërohen në polici 6 persona!

Klan News raporton se gjashtë persona janë shoqëruar në Policinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje në lidhje me vdekjen e kenianes Joy Ayoko.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se në mesin e të shoqëruarve është edhe shoferi i kazinos, Rodi Barçi dhe vëllai e tij.

Advertisement

“Po ashtu, mes të shoqëruarve janë edhe 4 persona të tjerë, pjesë e rrethit shoqëror që tashmë ndodhen në ambientet e komisariatit numër 1 duke u marrë në pyetje. Ende nuk ka një urdhër ndalimi nga prokuroria për këta persona. Ata po merren në pyetje nga oficerët e policisë. Ata dyshohen si persona që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e vajzës nga Kenia, Joy Ayoko, po ashtu si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe nuk mund të kenë treguar për hetuesit gjatë hetimeve që janë kryer në kohët e fundit. Në ambientet e komisariatit numër 1 ndodhet edhe drejtori i Policisë së Tiranës, zoti Tonin Vocaj, i cili është duke marrë pjesë në seancën e marrjes ë pyetje të këtyre personave”, raportoi gazetari.

Rodi Barçi është marrë në pyetje edhe më herët. Ai ka mohuar që të ketë lidhje me vajzën dhe me ngjarjen e rëndë. Sipas gazetarit, nga hetimet janë krijuar dyshimet e arsyeshme lidhur me bisedat që ka pasur vajza me shoferin e kazinosë ku ajo punonte.

“Komunikime që dyshohen se kanë qenë edhe gjatë ditës së ngjarjes dhe pikërisht dyshohet që Rodi Barçi me persona të tjerë e kanë thirrur fillimisht në ambientet e hostelit ku ajo punonte dhe më pas e kanë dhunuar dhe e kanë dërguar tek dhoma duke e hedhur në pjesën e pasme të hostelit. Megjithatë kjo pritet që të saktësohet nga marrja në pyetje e tyre dhe pritet që të ketë një version lidhur me komunikimet e tyre”, raportoi gazetari.

22-vjeçarja u gjet në Gusht të vitit 2022 e dhunuar. Nga keqtrajtimi ajo ra në koma për 6 muaj. Në Shkurt të këtij viti, për shkak të komplikacioneve ndërroi jetë. Për shkak të komas ajo nuk u mor dot në pyetje nga grupi hetimor.