Vaqarr | Rama: do japim certifikatën e pronës

Kreu i Partisë Socialiste ka zhvilluar këndin e fjalës në Vaqarr ku i është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të banorëve, duke prezantuar para tyre alternativën e Rilindjes. Programi i PS për fshatin ishte një pikë ku kryesocialisti ndali vëmëndjen e tij. “Në një vend të pasur me ujë si Shqipëria, i dyti në Europë për pasuri ujore, të mos ketë ujë për të pirë, të mos ketë ujë për të vaditur dhe njerëzit të përmbyten sapo bie shi, kjo ndodh sepse nuk ka shtet. Kjo kucedër është paaftësia dhe babëzia bashkë me mungesën e plotë të vëmendjes, respektit dhe dashurisë për këtë popull. Që në ditën e parë ne do fillojmë nga puna për të garantuar ujë në parcelë, ujë në rubinet”, tha Rama. Ai shtoi se pjesë e kësaj rilindje janë certifikatat e pronësisë që do i jepet çdo fshatari që e ka punuar tokën për 20 vjet. “Ne do vendosim një marrëdhënie të re me fshatin, për ta rilindur atë, t’i japm fuqi familjeve që të nxjerrin mirëqënie nga toka. Qeveria e sotme punon ditë e natë si një kompani biznesi që sheh interesat e anëtarëve të vetë. Ne premtojmë se kush ka 20 vjet që punon tokën do marrë certifikantën e pronësisë dhe do jetë pronar i asaj toke, ne do ti japim certifikatat e pronës për të gjithë ata që e punojnë tokën”, tha Rama. Heqja e taksës së naftës, ishte një tjetër premtim i kryesocialistit, sipas të cilit do ndihmojë më tepër fermerët të punojnë tokën e tyre. Ai shtoi më tej se, “Ky pushtet i rri në qafë popullit, jo në krahë. Për ne hallet dhe problemet e fshatit do jenë hallet dhe problemet kryesore të qeverisë”.

Advertisement