Të pushtosh Himalajat nuk është një aventurë që mund ta ndërmarrin të gjithë.
Duhet dëshirë, kurajo, guxim, forcë dhe përgatitje e madhe që të mund të pushtosh lartësinë prej 8.848 m e për të patur të gjithë botën në këmbët e tua.
Ata që e kanë realizuar këtë objektiv janë të paktë dhe këtu e ka shkruar emrin e saj edhe Uta Ibrahimi, për t’u bërë e para alpiniste shqiptare që arrin në majë të Himalajeve duke mposhtur Everestin.
Kushtet e këqija të motit e shtuan shkallën e vështirësisë për misionin e Utas, por në fund ajo ia doli mbanë dhe në orët e para të mëngjesit të së hënës mbërriti në majë, ku shpalosi flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
“Për të gjithë ju që më bëtë të dua nënën natyrë, që më dhatë dashuri e përqafime, guxim e besim për ekspeditat e mia të shumta në këto 6 vjet e më shumë, për ata që kanë besuar në ëndrrën time dhe më kanë bërë më të fortë drejt realizimit të saj”, shkruan plot entuziazëm Uta në profilin e saj në Facebook.
“Jeta është sfidë me veten, është mësimi im për këto 50 ditë të ngjitjeve të mia të vështira në lartësi të mëdha mbidetare, nëpër Himalaje”, vijon alpinistja.