Donald Tramp hyn në histori pari ish-president i Shteteve të Bashkuara që përballet me akuza penale. Gjykata e Nju Jorkut ngriti ndaj tij akuza për falsifikim të deklaratave të bizneseve të tij.
Tramp akuzohet se përmes avokatit të tij Majkëll Kohen, i pagoi 130 mijë Dollarë aktores së filmave për të rritur Stormi Deniells, për të mbajtur të fshehtë marrëdhënien intime që ka pasur me të në vitin 2006, që çështja të mos ndikonte negativisht në fushatën e suksesshme presidenciale të 2016-ës.
Pagesa në vetvete nuk është e jashtëligjshme, por regjistrimi i saj si shpenzim në bizneset e tij përbën shkelje, sipas ligjeve të Nju Jorkut.
Akuzat nuk janë bërë publike, por sipas mediave amerikane në dosjen e ish-presidentit renditen 30 shkelje. Tramp reagoi përmes një deklarate për shtyp, ku i quajti akuzat një proces politik.
Donald Trump: Kurrë më parë, kjo nuk i ka ndodhur kombit tonë. Kjo gjueti shtrigash do t’i kthehet mbrapsht Xho Bajdenit. Populli amerikan, lëvizja dhe parita jonë e bashkuar dhe e fortë do të mposhtë Xho Bajdenin dhe ne do të shporrim nga zyra edhe demokratin e fundit “të kërrusur”.
Megjithatë, analistët thonë se kjo nuk e pengon Donald Trampin për të garuar për një mandat të dytë presidencial në 2024-ën. Kushtetuta amerikane nuk e ndalon kandidimin e personave që përballen me akuza penale.
Procesi pritet të thellojë hendekun mes dy krahëve të politikës amerikane, por mund të forcojë mbështetjen për ish-presidentin. Nuk pritet që Tramp të dërgohet me pranga para gjykatës në Nju Jork, por avokatët e tij kanë arritur marrëveshje që të dorëzohet të martën e ardhshme.