Tregjet e Krishtlindjeve më origjinalë në Europë

Popullariteti i tregjeve të Krishtlindjeve ka prekur majat vitet e fundit. Shumë qytete, me këtë rast, ofrojnë aktivitete të veçanta dhe shndërrohen në parajsa të vërteta për Krishtlindje.

Mes dritave, ngjyrave, ushqimeve dhe pijeve karakteristike të zonës në periudhën më të gëzueshme të vitit, tregjet e Krishtlindjeve janë një rast i mirë për të kaluar disa ditë pushimesh.

Advertisement

Por cilët janë më të veçantët?

 

Krishtlindje “green” në Tuluzë, Francë

Qyteti i Tuluzës ka prezantuar një tabelë që mat nivelin e eko-qëndrueshmërisë për të gjitha nismat publike dhe private. Falë këtij sistemi kontrolli, edhe tregjet e Krishtlindjeve janë realizuar nën optikën e kursimit energjetik dhe në mbështetje dhe mbrojtje të mjedisit. Protagonistë të tregut janë artizanët: lodra prej druri, qirinj, artikuj prej lëkure, qeramikë dhe specialitete të kuzhinës vendase si foie gras*. Tregjet janë të hapur në gjithë muajin dhjetor në Place dy Capitole, në zemër të qytetit.

*Foie gras është një produkt ushqimor luksoz, i gatuar me mëlçi rose ose pate që është rritur posaçërisht për këtë gjë.

 

Krishtlindjet e “shijshme” në Padstow, Angli

Në Padstow, në brigjet e mrekullueshme të Cornwall, zhvillohet çdo vit Christmas Festival, tre ditë festash ku protagonisti kryesor është ushqimi. Shefa kuzhine me famë ndërkombëtare si Rick Stein, Paul Ainsworth e Nathan Outlaë japin këshilla gatimi në “show cooking” për ditën e Krishtlindjeve. Përveç spektaklit të fishekzjarrëve të shtunën në mbrëmje, banda xhazi dhe kore për Krishtlindje argëtojnë vizitorët gjatë gjithë fundjavës. Në shtëpizat e shumta prej druri mund të gjeni ide për dhurata, dekorime për Krishtlindje dhe ushqim të mirë – këshillohet të provoni versionin e zonës të Chutney*. Më të vegjlit mund të përkëdhelin drerë të vërtetë dhe të bëhen pjesë e Santa Fun Run”, një garë vrapimi për bamirësi, në të cilën marrin pjesë thuajse 200 aspirantë për Babagjyshin e Krishtlindjeve.

*Chutney, lloj salce me origjinë nga nënkontinenti Indian

 

Pema e Krishtlindjeve në Tallin, Estoni

Kryeqyteti i Estonisë, Tallin, ofron një atmosferë magjike, ku tregu i Krishtlindjeve është si një kartolinë. Pema gjigante e Krishtlindjeve mbizotëron shtëpizat prej druri në Sheshin Raekoja, Sheshi i Bashkisë që së bashku me gjithë Qytetin e Vjetër është pasuri e UNESCO-s. Legjenda thotë që pikërisht në Tallin lindi tradita e ndriçimit të pemës së Krishtlindjeve dhe për këtë arsye, zgjidhet pema më e bukur ndër mijëra të tjera në gjithë vendin. Gjatë kësaj kohe, rrugët e qytetit mbushen me Babagjyshër të Krishtlindjeve të cilët përshëndesin fëmijët dhe ju urojnë me rastin e festave. Për t’i shpëtuar të ftohtit ju këshillojmë të hyni në restorantet dhe baret e ngrohta të qytetit, ku mund të shijoni ushqime karakteristike si lakër dhe çokollatë e zezë.

 

Nga Poli i Veriut në Poloni – Gdańsk

Nismat e shumta për Krishtlindje vitet e fundit e kanë vënë në qendër të vëmendjes Poloninë dhe në veçanti qytetet e Krakovit dhe Varshavës. Megjithatë ne ju këshillojmë Gdańsk, qendrën e mrekullueshme në brigjet baltike të Polonisë. Qyteti është ideal për ta vizituar gjatë dimrit dhe qendra e gjallë historike ka rrugë të panumërta, të gjitha pak hapa larg një lumi të gjatë. Gdańsk ka dy tregje Krishtlindjesh, i pari në Sheshin e Coal Market, i njohur për zejtarinë dhe ushqimet vendase, tjetri në Grand Armoyry, ku zhvillohet panairi i artit të Krishtlindjeve.

 

Krishtlindje si dikur kohë më parë në Rango, Trentino Alto Adige

Në malet e Dolomiteve, në Trentino Alto Adice ndodhet një vend ku gjithçka ka ndalur dhe Krishtlindjet festohen si njëherë e një kohë. Në Rango, tregjet e Krishtlindjeve janë vendosur në shtëpitë e fshatit, në stalla dhe në kantina që gjatë kësaj periudhe janë të hapura për vizitorët që duan të rigjejnë bukurinë e Krishtlindjeve të një kohe të largët. Në rrugët e Rango, një ndër vendet më të bukura në Itali, atmosfera është si në përrallë. Ky është rasti ideal për të kaluar disa ditë të bukura dhe çlodhëse mes Dolomiteve./Monitor/