Nëse keni parë ose dëgjuar për filmin fitues të çmimit Oskar “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, me siguri do ju rikujtohen tre stendat e afishimt me ngjyrë të kuqe dhe tipografi të zezë.
Një fushatë e tillë nga “Haveit Collective” është rikrijuar edhe në Prishtinë kundër dhunës në familje.
Në “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, billbordet janë vendosur në rrugën Luan Haradinaj, ku ndodhet edhe Shtabi i kryesor i Policisë së Kosovës në kryeqytet.
“Edhe sa thirrje të humbura” dhe emrat e “Diana Kastratit” dhe “Zejnepe Bytyqit”, shkruhet në to, marrë shkas nga emrat e dy grave të vrara nga burrat e tyre.
Kastrati dhe Bytyçi kishin raportuar bashkëshortët e tyre për dhunë në familje shumë herë, por ato përfunduan të vrara nga shkaku i mos reagimit në kohë të institucioneve përgjegjëse.
Fushata është motivuar nga filmi i famshëm amerikan, “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, i cili flet për një nënë të zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë dhe rendit në një qytet amerikan, i cili nuk i bën përpjekjet e duhura për të zbardhur vrasjen e një vajzës së saj të djegur e të përdhunuar.