Tiranë | Zgjedhjet për Kuvendin, do të ngrihen 12 zyra rajonale zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar njësitë administrative ku do të ngrihen ambjentet e punës së zyrave rajonale zgjedhore. “Me udhëzimin nr.1 datë 20.02.2009 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar ngritjen e 12 zyrave rajonale zgjedhore që përkon me 12 qarqet e vendit. Referuar udhëzimit të lartpërmendur Zyrat Rajonale Zgjedhore ngrihen për një periudhë 5 mujore dhe në cdo rast jo më vonë së një muaj nga data e zgjedhjeve. Është menduar që zyrat rajonale të ngrihen në 24 rrethe të vendit, pikërisht në ato rrethe të cilat janë më të shkëputura nga qendra e qarkut dhe në këtë mënyrë njëri nga punonjësit mbulon qendrën e qarkut dhe punonjësi tjetër rrethin që është më larg. Në këtë mënyrë do kemi një mbulim më të mirë të territorit për të pasur lehtësi në administrimin e zgjedhjeve” thuhet në relacionin e KQZ-së. Ndërkohë KQZ-ja ka shqyrtuar edhe projektvendimin për dokumentacionin e kandidimit për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013. Neni 67 i Kodit Zgjedhor parashikon që partia politike e regjistruar si subjekt zgjedhor depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore. Kjo listë duhet të mbështetet nga firmat e 5000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Partitë politike përjashtohen nga detyrimi për firmat nëse të paktën një anëtar i kësaj partie zotëron një mandat në Kuvend. Gjithashtu partia politike pjesëtare e një koalicioni depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore. Në këtë rast listat e partive politike pjesëtare të koalicionit duhet të mbështeten nga 7000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.

Advertisement