Tiranë | Rama dhe trojka e ambasadorëve diskutojnë situatën parazgjedhore

Situata parazgjedhore dhe ngjarjet në Luginën e Preshevës, kanë qenë pikat ku është fokusuar takimi mes trojkës së ambasadorëve dhe kreut socialist Edi Rama. Në përfundim të takimit, që zgjati rreth 1 orë, ambasadorët dolën në një konferencë të shkurtër për mediat, ku bënë të ditur se në qendër të diskutimeve me kreun e opozitës ishin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ambasadorët e cilësuan si mjaft konstruktive bisedën me kryetarin e socialistëve. “Këto zgjedhje duhet të bëhen në mënyrë konstruktive dhe sipas standardeve, që të kemi të ardhme të paqtë dhe shtet të së drejtës” tha pas takimit ambasadori i OSBE-së. Po ashtu edhe Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, tha se mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve europiane, janë edhe garanci për të ardhmen e paqtë të vendit dhe për një shtet ligjor të konsoliduar. Menjëherë pas ambasadorëve, përpara mediave doli edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili theksoi se “opozita është në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për sa i përket domosdoshmërisë që zgjedhjet e ardhshme të jenë fundi i kapitullit të farsave elektorale, por fillimi i kapitullit ku populli vendos për ata që do ta qeverisin”.

Advertisement