Tiranë | Topalli: Rama t’i kërkojë dokumentet në sirtarët e Presidencës

alt

Ndërsa sqaroi vendimin e KQZ-së për mandatin e deputetit socialist, Topalli theksoi se ky vendim është i ligjshëm, kushtetues dhe i qartë. “Duke qenë se Këshilli i Rregullores nuk funksionon me shumicë votash, por në barazi të plotë përfaqësimi, deri sa Rama ta ndajë mendjen mbi ligjshmërinë ose jo të akteve të prodhura për këtë çështje, Këshilli është i bllokuar për konkluzionet. Rama t’i thotë shqiptarëve se në cilin nen të Kushtetutës, kodit zgjedhor apo rregullores parlamentare autorizohet kryetari i Kuvendit për të dhënë apo hequr mandatin e deputetit”, tha Topalli. Ajo përsëriti sërish kërkesën ndaj Partisë Socialiste që të sjellë në Kuvend kandidaturat për vendet vakante të opozitës në bordin e TVSH-së dhe të KKRT-së, të lëna bosh sipas saj prej 3 vitesh si poltrona e zonjës Seseri në parlament. “Sa për dokumentet që thotë, Rama t’i kërkojë në sirtarët e Presidencës aty ku e ka dërguar me vendim Kuvendi me votën e tij në seancë plenare dhe jo Jozefina. Por, aty unë nuk e ndihmoj dot, se nëse kërkon do të gjejë një votues të tij të devotshëm që ta sqarojë. Deri tani në fakt z. Rama ka kërkuar si gjithnjë një gjethe fiku. Gjethe fiku ose në kuti, ose në çadër ose në sirtar. Problemi është se dhe po e gjeti, ajo nuk e mbulon, por veç e turpëron”, përfundoi deklaratën e saj kryetarja Topalli.